Në vitin 2014, në bodrumin e një shtëpie në Tuluzë të Francës u zbulua një pikturë e mbuluar nga pluhuri dhe e dëmtuar nga lagështira. Meqënëse u mendua se piktura ka vlerë, u mor nga një ekspert, Marc Labarbe, i cili e pastroi atë, dhe i dërgoi një foto të saj një njohësi të artit.
Por ajo që u zbulua pesë vite më vonë ishte e mahnitshme! Bëhej fjalë për një pikturë të humbur të piktorit të famshëm Caravaggio, që më në fund kishte dalë në dritë. Bëhet fjalë për ‘Judith dhe Holofernes’, që besohet se është realizuar në vitin 1607.
Lajmi i zbulimit të saj u dha në një konferencë për shtyp, ku u bë më dije se piktura do të dalë në një ankand më 27 qershor, në Tuluzë, ku pritet të kapë një vlerë prej jo më pak se 150 milionë eurosh.
Sipas ekspertëve, piktura ka një histori të komplikuar. Ajo është krijuar pasi Caravaggio u largua nga Roma, i akuzuar për vrasje, dhe reflekton ndryshimin e dallueshëm në stilin e artistit gjatë kohës që ai ishte në azil, në Napoli. Caravaggio u bë atje një piktor më i errët, më i zymtë dhe më ekstrem.
4 dokumente provojnë ekzistencën e pikturës, dy letra të vitit 1607 drejtuar Dukës së Mantovës, ku përshkruhet puna; një testament i vitit 1617 i një tregtari arti; si dhe një inventar i një prone në Antwerp, në vitin 1619. Pas vitit 1619 nuk dihej më asgjë për pikturën, deri në momentin e rishfaqjes së saj në Tuluzë.
Aktualisht piktura qëndron e varur në një galeri arti në Londër. /E.M