“Rrjedhje” e madhe mandatesh nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ylli Shehu, Aurora Mara, Enver Roshi dhe Edmond Rrushi janë kandidatë nga radhët e LSI-së të cilët pritet të marrin mandatin e deputetit, duke dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) formularin e dekriminalizimit.
Listës së LSI-së mund t’i shtohet edhe Ralf Gjoni, i 11-i në listën e Tiranës. Ai nuk ka pranuar të firmosë heqjen dorë nga mandati, sipas kërkesës së LSI dhe ka deklaruar pas një takimi me eurodeputetin Knut Fleckenstein se do të vendosë për mandatin, pasi të thirret nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe pas disa konsultimeve. Ndërkohë Lefter Koka, i pari i listës së Durrësit nuk e dorëzoi mandatin.
Nga Partia Demokratike kanë refuzuar kërkesën e selisë blu për të hequr dorë nga mandati Ligoraq Karamelo, i 6-i në qarkun e Korçës dhe Lefter Maliqi, i treti në qarkun e Beratit, por që në vitin 2017 bëri fushatë për Partinë Socialiste dhe sot mban detyrën e Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Ndërsa Mylsim Murrizi dhe Rudina Hajdari nuk i kanë dorëzuar mandatet.
Mesditën e të mërkurës, Partia Demokratike dorëzoi në KQZ dorëheqjet e 38 kandidatëve të listës pritëse.
Kandidatët në listën pritëse kanë 10 ditë afat për të vendosur, pas thirrjes që marrin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të pranuar mandatin./ Opinion.al