Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi ka folur për incidentin që pati me protestuesit e opozitës të martën jashtë Parlamentit. Në çelje të fushatës ndërkombëtare dixhitale për turizmin “Be taken by Albania”, Klosi tha se pamjet që kanë bërë xhiron e mediave nuk tregojnë Shqipërinë e vërtetë.
“Mbase nuk është dita më e artë sot, pas asaj që ndodhi dje në Parlament që të ftojmë Liam të vizitojë Shqipërinë. Mbase mund të shikojë skenën që më ndodhi mua në Parlament, atë që ai regjistroi në filmin e tij. Por ama kjo nuk është Shqipëria, është vetëm një minutë”, tha Klosi.
Shqipëria sipas ministrit është ajo që i ofron turisteve traditën e mrekullueshme dhe natyrën mbresëlënëse. Dy pika kyçe ku po mbështetet Ministria e Mjedisit dhe Turizmit për të bërë realitet sfidën e saj për 10 milionë turistë deri në vitin 2020.
Për të tërhequr sa më shumë turistë ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi bëri të ditur se do të shërbejë dhe Samiti i Diasporës ku shqiptarëve të njohur nëpër botë do tu kërkohet të lobojnë për të vizituar vendin tonë./G.F Opinion.al