Nënkryetari i grupit parlamentar demokrat Edi Paloka ka thënë se seanca e sotme parlamentare është thirrur në ilegalitet të plotë, ndaj fton gjithë qytetarët që të protestojnë. Paloka tha se megjithëse mazhoranca mund të ndryshojë datat e seancave plenare, opozitarët do të jenë gjithmonë gati për protesta.
“Seanca që ishte njoftuar të enjten, do mblidhet sot në orën 17:00, është mbledhja e një parlamenti ilegjitim që mblidhet në ilegalitet. Ky parlament nuk përfaqëson as shqiptarët dhe as ata që një herë mund ta kenë votuar Partinë Socialiste. Pasi e rrethuan me tela me gjemba, pasi i salduan edhe hyrjen për në Parlament, sot kanë kaluar në ilegalitet për të shpëtuar kokën politike të Edi Ramës. Ai po bën antiminigun në Lushnje. I kemi bërë thirrje të gjithë demokratëve dhe qytetarëve, që sot të jenë para Parlamentit dhe ne do të vazhdojmë siç e kemi njoftuar”, tha Paloka nga selia blu.
Lidhur me pretendimin e Taulant Ballës se aksioni politik i opozitës vjen për shkak të frikës që ka nga reforma në drejtësi, Paloka tha se ky arsyetim ishte banal.
“Ne që dorëzojmë imunitetin kemi frikë nga drejtësia, këta që fusin ligj për imunitetin, megjithëse i kanë kapur të gjitha dhe fusin ligj këta nuk paskan frikë. Ne kemi gjashtë vite në opozitë. Banaliteti i ka shkuar ku nuk mban më”, u shpreh Edi Paloka./Opinion.al