Ditën e sotme janë zbuluar detaje të reja lidhur me rënien e avionit të futbollistit Sala. Disa dokumente të reja nga Franca raportojnë se piloti bëri disa ‘gabime themelore’ përpara nisjes.
David Ibbotson, nuk lejohej të transportonte udhëtarë me pagesë, sepse ai kishte vetëm një licencë private, dhe jo licensë biznesi, si dhe nuk kishte kualifikimin e duhur për të fluturuar në mot të keq.
Dega e Hetimeve të Aksidenteve Ajrore (AAIB) do të publikojë raportin e përgjithshëm mbi aksidentin ditën e sotme, por përpara këtij botimi, janë publikuar dokumente të reja nga mediat franceze në lidhje me kualifikimet e z. Ibbotson dhe përgatitjet e tij para fluturimit.
Sipas “Daily Mail” imazhet e ngarkuara në mediat sociale nga gazetari i Fox Sports , Christian Martin duket se tregojnë se në planin e tij të fluturimit Z. Ibbotson bëri disa ‘gabime themelore’. Imazhi i mëposhtëm tregon se si Ibbotson plotësoi gabimisht numrin e licencës së aeroplanit në formular, duke shkruar N246DB në vend të N264DB.
Aty tregohet se ai gjithashtu përdorte Visual Flight Rules (VFR) në vend të Instrument Flight Rules (IFR). Kjo do të thotë se kualifikimet e tij e lejonin atë të fluturonte natën, por vetëm në mot të mirë e të kthjellët. Gjithsesi ai vendosi të fluturojë me një stuhi të fuqishme mbi Kanalin Anglez dhe mendohet se instrumenti ka ngrirë para se avionit të rrëzohej në det. Pilotët që fluturojnë me VFR, nuk mund të fluturojnë nëpër re dhe në disa lloje të hapësirës ajrore sepse ata duhet të jenë në gjendje të shohin terrenin. Udhëtimi i tyre duhej të ketë një standard minimal të kushteve të motit, të njohura si kushte vizuale meteorologjike (VMC).
Emiliano Sala ishte duke udhëtuar me një avion të vogël drejt Uellsit, për t’iu bashkuar skuadrës së tij të re Cardiffit, që sapo kishte arritur akordin me klubin e Nantes për blerjen e tij për shumën e 17 milionë eurove. Por sulmuesi nuk arriti kurrë në destinacion, pasi avioni me të cilin ai po udhëtonte, u zhduk dhe pas kërkimesh të shumta, u gjet në kanalin e La Manshit, bashkë me trupin e Salas.
Ende nuk ka të dhëna për trupin e pilotit të avionit, i cili nuk u gjet nga grupet e kërkimit./E.M