Moti i keq ka mbërthyer sërish vendin. Dita e shtunë ka nisur me dëborë në shumë qarqe të vendit. Reshje të shumta ka pasur në veri të vendit, kryesisht në zonat malore, por edhe në juglindje, ku Korça është mbuluar nga dëbora.
Dëborë ka pasur edhe në Tiranë. Dajti është zbardhur i tëri, ndërsa në qytet ka rënë shumë pak dëborë rreth orës 07:30. Reshjet e dëborës janë të rralla në zonat bregdetare, por për të tretin vit radhazi Durrësi është mbuluar.
Ndërkohë erërat e forta sollën probleme të shumta në Lezhë. Një kamion i ngarkuar me polisterol u përmbys në rrugë mbi urën e Lumit Mat. Famirësisht, nuk pati pasoja në njerëz.
Nga erërat e fuqishme pati edhe dëme të tjera në tabela dhe pemë gjatë autostradës Lezhë-Milot. Një familje e përbërë nga 8 anëtarë ka shpëtuar mrekullisht në Lezhë pasi era u ka prishur çatinë ndërsa ata po flinin.