Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha nëpërmjet një statusi në Facebook ka kujtuar 20 shkurtin, ditën kur u rrëzua statuja e diktatorit Enver Hoxha.
Basha thotë se sot nuk ka më shtatore për të rrëzuar, por duhet shembur sistemi. “28 vite më pas, jemi përballë një sfide të ngjashme. Një regjim antidemokratik, oligarkik, i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar, po zhbën ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa. Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit duke varfëruar dhe shtypur përditë shqiptarët. Qëllimi ynë është t’i japim atyre një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit. Vetëm kështu do ecim të sigurt drejt Europës”, shkruan Lulzim Basha në postimin e tij në Facebook.