Pak ditë para mbajtjes së protestës së thirrur nga opozita më 16 shkurt përballë Kryeministrisë, Policia e Shtetit i ka bërë apel politikës që të ndalin retorikën që nxit veprime kundër rendit dhe qetësisë publike.
Policia e Shtetit ndan po ashtu me publikun shqetësimin për përfshirjen në tubim të individëve me precedentë penalë apo të nxitur nga aktorë të tretë, të cilët synojnë krijimin e një klime destabiliteti në Shqipëri.
“Duke garantuar të drejtën e tubimit dhe lirinë e shprehjes së qytetarëve që manifestojnë për pikëpamjet e tyre politike, Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që s’kanë lidhje me këtë tubim, të marrin masa për kufizimin e lëvizjes së tyre gjatë datës 16 shkurt në mjediset ku do të zhvillohet protesta.
Policia e Shtetit informon gjithashtu se do të kryejë kontrolle intensive të mjeteve në disa akse kryesore me qëllim që të parandalojë përfshirjen e personave me rekorde dhe precedentë kriminalë në protestën e datës 16 shkurt në interes të sigurisë së pjesëmarrësve të saj dhe të qytetarëve të tjerë.”, thuhet në komunikatë. Dl