Partia Demokratike ka akuzuar edhe njëherë qeverinë Rama, për krijimin e kushteve favorizuese ligjore për lirimin e Dritan Dajtit.
PD e quan si tallje të pacipë dhe të pamëshirshme, vendimin në favor të Dritan Dajtit që 4 dëshmorë të atdheut.
“Etilda Gjonaj e di shumë mirë se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarit, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore. Etilda Gjonaj e di shumë mirë se prej më shumë se dy vjetësh, Edi Rama ka urdhëruar bllokimin e çdo akti që plotëson boshllëkun e krijuar.
Partia Demokratike ka paraqitur në Kuvend që në shkurt 2018 propozimet për nenet e shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese, por ato vazhdojnë të jenë të bllokuara dhe Shqipëria vazhdon të mos ketë një ligj për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve.
Kërkesa e Ministres së Drejtësisë për procedim disiplinore të gjyqtarëve, në kushtet kur mungon ligji për shkeljen disiplinore, është tallje me shqiptarët dhe një teatër kriminal që nuk ndryshon dot faktin se një tjetër kriminel i rrezikshëm u lirua nga drejtësia e reformuar e Edi Ramës.”, thotë Partia Demokratike.
PD i kërkon ministres Gjonaj, që në vend të propagandës dhe mashtrimit tu përgjigjet shqiptarëve: “me kë komunikon Dritan Dajti nga qelia”
“Në vend të propagandës së neveritshme dhe mashtrimit të pacipë të opinionit publik, Ministrja e Drejtësisë ka për detyrë të mos heshtë, por t’u thotë shqiptarëve: Me kë komunikon nga burgu Dritan Dajti? Kë shantazhon nga burgu vrasësi i 4 policëve në krye të detyrës? Kush i ka dalë Dritan Dajtit garant për lirimin e tij të shpejtë?
Pyetjet janë konkrete dhe kërkojnë përgjigje konkrete dhe Ministrja e Drejtësisë nuk mund të fshihet dot shumë gjatë pas kërkesave që bazohen në ligje që nuk ekzistojnë.”, përfundon PD. Dl