Kjo mund të ndodhë vetëm në Shqipëri, ku gjuetia është një sport pa kriter.
Një pelikan është qëlluar pak ditë më parë në Shkodër, ndërsa ishte në udhëtim e sipër.
Lajmin e jep Ardian Koçi, Drejtor i Administratës së Zonave të Mbrojtura në qarkun e Fierit, që mbulon po kështu edhe parkun Divjakë-Karavasta.
Pelikani i dëmtuar u çua nga Shkodra në Divjakë, ku iu nënshtrua një ekzaminimi klinik.
Nga kqyrja e trupit të shpendit të rrallë, u vunë re gjurmë saçmesh të çiftes së gjahut.
Për fat të mirë pelikani ka mundur të shpëtojë, ndërsa do ti nënshtrohet një operacioni për ti bashkuar kockën e dëmtuar.
“Pelikani i plagosur, që arriti nga Shkodra para pak ditësh, iu nënshtrua një ekzaminimi klinik më të specializuar. Nga radiografia duket qartë prania e saçmave të armës së gjahut, njëra prej tyre ka thyer radiusin. Nesër (sot) pelikani do të operohet duke bashkuar kockën dhe duke e fiksuar me një pllakë titani.”
Ndërkohë, informon drejtori Koçi, pelikani do të qëndrojë në ambientet e Koopshtit Zoologjik të Tiranës, deri në rikuperimin e plotë.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, pelikani është një shpend i mbrojtur, por që duket se nuk i ka shpëtuar dot gjuetisë së paligjshme. D.l