Avjol Dobi, përfaqësuesi i kompanisë “DH Albania” i cili u përfshi në skandalin e flasifikimit të dokumentave në tenderin e Unazës së Madhe tashmë është në kërkim ndërkombëtar. Lajmi bëhet i ditur nga televizioni Klan, që citon burime të policisë të cilat thone se emri i 26-vjeçarit është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar dhe tashmë kërkohet bashkëpunimi me partnerët e Europol dhe Interpol për arrestimin e tij.
Ndaj Dobit gjykata ka caktuar masën e sigurisë me burg në mungesë, pas kërkesës së bërë nga prokuroria e cila e akuzon për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare.
Dobi përfaqëson kompaninë që fitoi dy tenderë me vlerë 30 milionë Euro, me dokumente të falsifikuara. Ai përfitoi 12 milionë Euro për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit Burrel-Peshkopi dhe 18 milionë për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe të Tiranës.
26-vjeçari ende nuk është gjetur nga policia dhe në bazë të sistemit TIMS, ai rezulton të jetë akoma në Shqipëri. Nuk përjashtohet mundësia që Dobi të jetë larguar nga vendi ynë pa u regjistruar në sistemin TIMS, ose në mënyrë ilegale, bën me dije TV Klan.