Është përfolur shpesh se Shqipëria është kthyer në një Itali të vogël, për numrin e italianëve që vijnë të punojnë dhe jetojnë në vendin tonë.
Madje kanë qarkulluar edhe shifra të tilla sikurse në Shqipëri aktualisht jetojnë 20 mijë italianë.
Por kjo shifër duket se është shfryrë si një tullumbace nga vetë ambasadori i Italisë në Tiranë, Alberto Cuttillo, i cili në një intervistë për gazetarin Blendi Fevziu në “Opinion”, tha se përtej asaj që flitet, konsullata italiane ka vetëm 2 mijë italianë të regjistruar në Shqipëri.
Pjesë nga intervista ku ambasadori Cuttillo flet për italianët në Shqipëri.
“Z.Ambasador, ne kemi patur një problem me median italiane që e shihte Shqipërinë vetëm nëpërmjet problemeve apo shfaqte vetëm gjërat negative. Tani po vihet re një ndryshim. Kur lexojmë shtypin italian, duket sikur Shqipëria është shndërruar në parajsë për italianët. Thuhet se 20 mijë italianë po jetojnë në Shqipëri dhe kanë hapur biznese këtu. Mua nuk më duket e vërtetë, vetëm nëse italianët kanë mësuar gjuhën shqipe, por… ama nuk më duken 20 mijë.
-Keni të drejtë. Shtypi në Itali, sikurse edhe në Shqipëri dhe për fat të mirë në të gjitha vendet e botës bazohet në opinione të ndryshme. Ka nga ata që shohin të mirën, por ka edhe nga ata që shohin të keqen. Është e vërtetë që nuk janë 20 mijë.
Ne si Ambasadë, si konsullatë kemi regjistrimet tona dhe na rezulton se janë afërsisht 2 mijë italianë. Le të supozojmë se disa prej tyre nuk janë regjistruar akoma, pra, mund të jenë 3 mijë.
Ama ka shumë italianë që vijnë në Shqipëri si turistë ose për punë. Nuk do të habitesha nëse në një ditë të vitit, dikush do të bënte llogaritë dhe atë ditë mund të jenë 20 mijë italianë në Shqipëri. Çfarë bëjnë italianët që janë rezidentë në Shqipëri?
-Pjesa më e madhe punojnë këtu. Ka edhe nga ata që kanë zgjedhur të jetojnë këtu, por janë pak, sepse sinqerisht shërbimet sociale që Shqipëria ofron, sidomos në mjekësi nuk janë në lartësinë e duhur për të zëvendësuar ato që ofron Italia.
Po turistët italianë, po rritet numri i tyre?
-Po, vetëm këtë vitin e fundit është rritur me 25 %. Zënë vendin e katërt, menjëherë pas turistëve nga vendet fqinjë, Kosova, Greqia, Maqedonia. Janë kureshtarë për të zbuluar këtë vend.
Mbeten të kënaqur?
-Po, largohen të kënaqur. Kanë kuriozitet që të zbulojnë këtë vend kaq afër me Italinë, por që në kaq vjet ka qenë i mbyllur dhe njëkohësisht shumë i largët. Janë kuriozë dhe të kënaqur me atë që gjejnë.
Janë turistë aventurierë që vijnë vetë apo të organizuar nga agjencitë italiane?
-Prej dy vitesh agjencitë kanë zënë një rol të rëndësishëm, por më parë kanë qenë kryesisht turistë aventurierë. Tani vijnë edhe turistë të moshës së tretë që i besojnë agjencive dhe e vlerësojnë këtë vend./ Opinion.al