Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ende mendon se Kosova nuk është ‘e humbur’, por shprehet se konflikti i ngrirë mes dy shteteve nuk është diçka pozitive.
Vuçiç tha se është koha për të menduar për njerëzit dhe mbrojtjen e interesave të tyre, për të fituar sa më shumë të jetë e mundur.
Më tej, presidenti serb deklaroi se mashtrohet cilido individ që mendon se mund të mbahet një konflikt i ngrirë me Kosovën.
“Jam i dëshpëruar nëse njerëzit nuk duan t’a kuptojnë këtë, por unë nuk mund t’a ndryshoj dot realitetin dhe ashtu siç nuk mund të ndryshoj dot politikën që është racionale, serioze dhe e përgjegjshme, nga e cila Serbia po përfiton rezultate të mira”,- tha ai.
Ai mendon se realiteti në terren duhet të respektohet, duke shtuar se nuk mund të thuhet se gjithçka në Kosovë është serbe dhe se shqiptarët duhet të dëbohen.
Sipas tij, kjo është diçka që s’ka kuptim dhe nuk mund të shprehet, pasi është një thirrje që njerëzit të humbasin jetën e tyre.
Vuçiç deklaroi se gjatë gjithë këtyre viteteve është përpjekur për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si dhe për kujdesin ndaj të rinjve për të treguar se nuk mund të mbahet një konflikt i ngrirë mes dy vendeve.
Ai tha se ekzistojnë interesa të palëve të tjera, interesa edhe të shqiptarëve, por edhe shumë fuqive të mëdha që nuk e duan zgjidhjen e problemit.
Vuçiç u shpreh se ka nga ata që thonë se duan shtetin e tyre dhe janë të gatshëm të paguajnë çdo çmim, por cili është çmimi që janë të gatshëm të paguajnë?
“I pyes serbët: Çfarë çmimi jemi të gatshëm të paguajmë dhe sa kemi paguar në të shkuarën për një politikë të gabuar? Tani është koha të mendojmë për njerëzit, sigurisht duke mbrojtur interesat tona për të fituar sa më shumë të jetë e mundur”- tha Vuçiç./Telegrafi.com