Ky është Aleko Petro, 52- vjeçari që i mori jetën vajzës së tij, Anxhelina mbrëmjen e 2 Janarit.
I penduar për vrasjen e të bijës, babai 52- vjeçar Aleko Petro, tregon momentet e fundit nga ngjarja e rëndë që trondit Korfuzin.
Aleko Petro 52-vjeç duke folur për median greke Tv Open, thotë se nuk donte ta vriste vajzën.
“Erdhi në shtëpi rreth orës 11:00 deri në orën 12:00 kaluam shumë mirë, e doja shumë, kujdesesha shumë për vajzën time. Kishte ikur nga shtëpia një ditë dhe nuk dija asnjë gjë se ku ndodhej. Nuk e kam goditur kurrë, edhe pse thonë të kundërtën kjo nuk është e vërtetë. Hëngrëm, biseduam, normalisht….
Nuk i përgjigjej askujt në telefon…Nuk e di përse…dhe kërkoja të dija të vërtetën sepse shqetësohesha si baba, nga meraku e bëja këtë gjë. Më mirë të vdisja unë….Në të vërtetë nuk e di sesi ndodhi. Pas orës 8:00 i ra telefoni: Jam tek babai i tha. Pak më vonë ra një tjetër telefon. I kërkuan që të dilte. Debatuam …Ajo më thoshte, unë do të bëj çfarë të dua. Nuk dua të dëgjoj asnjë .Unë i thashë, përse sillesh kështu…dhe i them në rregull, bëj një hap pas që të qetësohet ajo. Jam penduar shumë nuk doja që ta vrisja, sinqerisht. Nuk jam i dhunshëm,nuk ushtroj dhunë ndaj askujt. Më shumë flas, kërkoj falje, dhe nuk doja të bëjë këtë gjë”.
I pyetur nga gazetarët nëse kishte problem me të dashurin afgan të vajzës, Aleko Petro nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë.
“Donte të ikte vetë, ishte zgjedhja e saj. I thashë po, je e rritur, je në punë, ke marrë jetën tënde në dorë. Të gjesh ndonjë djalë të mirë që të gëzohem dhe unë si baba”.
Anxhelina Petro kohët e fundit jetonte me të dashurin e saj afgan dhe ishte larguar nga banesa e të atit.
Sipas dëshmisë që ka dhënë në polici, 30- vjeçari afgan, ka treguar se 29-vjeçarja debatonte dhe grindej vazhdimisht me babain. Shkak ishte pikërisht lidhja e vajzës me emigrantin afgan, marrëdhënie që nuk pranohej nga Aleko Petro.
Vajza shqiptarë punonte si kameriere në një lokal në Korfuz. Mbrëmjen e 2 Janarit ajo mungoi në punë, duke bërë që i dashuri i saj të jepte alarmin për zhdukjen e 29 –vjeçares shqiptare.
Si i dyshuar kryesor u arrestua, babai i vajzës Aleko Petro, i cili pas disa orësh marrje në pyetje pranoi krimin e rëndë. Vajzën e kishte goditur disa herë me shufër hekuri, duke i shkaktuar vdekjen për shkak të traumave në kokë dhe e kishte varrosur në oborrin e shtëpisë./tvklan.al