28-vjeçari, Gent Cakaj, i propozuar nga kryeministri Edi Rama për të drejtuar Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme është treguar i padurueshëm, duke e shpallur vetveten menjëherë ministër.
Sapo emri iu publikua si ministër në Asamblenë socialiste, Cakaj vrapoi që t’a zyrtarizojë këtë fakt nëpërmjet një profili zyrtar në Twitter, pa pritur dekretimin e Presidentit dhe votimin në parlament.
Edhe pse Ditmir Bushati vazhdon të jetë ende në detyrën e ministrit dhe shkon rregullisht në zyrë, për Cakajn nuk është problem fakti që Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë prezantohet me dy ministra të Jashtëm.
Pasi, Ditmir Bushati vazhdon që të mbajë në faqen e vetë zyrtare (me të drejtë) pozicionin; Minister for Europe and Foreign Affairs of Albania.
Megjithatë, postimi i Cakajt është fshirë menjëherë nga profili i tij në Twitter; por vazhdon të jetë ende i pakuptueshëm fakti nëse emri i ri i propozuar për ministër të Jashtëm e kuptoi gafën e bërë apo u qortua nga dikush tjetër.
Mirëpo, ajo që në fakt pritej nga Cakaj këto ditë, ishte publikimi i CV-së që duhet ta kishte që në kohën kur mori detyrën e zëvendësit të Ditmir Bushatit.