Pas kërkesës nga një grup studentësh për dorëheqjen e dekanit të Fakultetit Ekonomik Dhori Kule, pasi sipas tyre nuk ka shkuar në takim sot për problematikat e tyre, ka ardhur reagimi i Dekanatit të Ekonomikut.
Përmes një deklarate, Dekanati hedh poshtë pretendimet e studentëve se ka qenë Dhori Kule ai që nuk ka shkuar në takim.
Dekanati thotë se takimi nuk është realizuar, pasi sipas tyre kanë qenë studentët ata të cilët nuk kanë njoftuar për datën dhe orën e këtij takimi.
Reagimi i plotë:
Dekanati i Fakultetit të Ekonomisë sqaron se ditën e shtunë, datë 15 dhjetor është paraqitur studenti Henri Hakorja, viti III, Bachelor, Grupi E301 dhe ka kërkuar takim me Dekanin e Fakultetit. Pas takimit të zhvilluar në orën 11:00, datë 15 dhjetor, Dekanati i Fakultetit, duke qenë gjithmonë në dispozicion dhe gatishmëri për të takuar studentë, ka pranuar të zhvillohet takim me studentët përfaqësues të të gjithë grupeve të seminareve të FE dhe Dekanatit të Fakultetit të Ekonomisë, në çfarëdolloj date dhe ore që do të ishte e përshtatshme për studentët.
Pas këtij takimi, studenti Henri Hakorja nuk ka njoftuar më për datën dhe orën se kur mund të zhvillohej takimi. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë pret gjithmonë studentë, prandaj pretendimi i ngritur në media nga ndonjë grup i veçuar studentësh nuk është i vërtetë. Ditën e hënë, datë 17 dhjetor, ora 09:00, Dekani së bashku me Dekanatin e FE pret studentët përfaqësues të grupeve të FE.