“Kam parë me qindra dhe mijëra herë videon e vrasjes së djalit tim. Personi që e qëlloi është Dejvi Bitraj”. Kështu deklaroi sot nga salla e gjyqit babai i Marvi Mihalit, i riu që humbi jetën pas sherri për një karikues telefoni.
‘BalkanWeb’ publikon detaje nga seanca në ngarkim te 4 te akuzuarve per vrasjen e Mihalit, si dhe rrëfimin dramatik të prindërve të tij.
Babai i Marvit, Pavllo Mihali tha se vrasësit e të birit janë kontingjent krimi. “Kam fakte qe vrasësit e djalit tim janë kontigjent kriminal. Ditën e ngjarjes kam qenë në Sarandë dhe jam njoftuar nga kunati im. Dejvi Bitraj e ka qëlluar pasi Eugen Bitraj e ka goditur nga pas dhe rrëzuar në tokë. Dënimi duhet të jetë maksimal. Ata e rrahëm derisa djali dha shpirt”, tha babai në gjyq.
Ndërkohë, Fatmira Mihali, nëna e 22-vjeçarit, tha se besonte të drejtësia dhe se do luftonte deri në fund, ndërsa shtoi se nëse nuk ndodhte kjo gjë do të bënte vetëgjyqësi.
“Dua të sqaroj se nuk do të ketë kurrë gjyq për dëmshpërblim. Nuk ka vlerë që më zëvendëson djalin. Në ngjarje Marvi ka hyrë vetëm për të ndare dy vetë. Eugen Bitraj e tërhoqi nga pas dhe e rrëzoi. Ata ishin përgatitur për të vrarë. Do vrisnin këdo që do u dilte para. Kam besim tek drejtësia dhe sa të kem jetë do luftoj. Askush nuk mund të dalë i pa lagur nga kjo histori”, tha nëna.
Ngjarja
Marvi Mihali u vra më 31 korrik të vitit 2017 në zonën e stadiumit “Dinamo”. Miku i tij Armend Haxhiu i kishte shitur një telefon Devi Bitrajt por nuk i kishte dhënë karikuesin. Pas debateve mes Haxhiut dhe Bitrajve është vendosur që të takohen për t’u sqaruar tek Dinamo. Haxhiu ka kërkuar që aty të shkonte edhe miku i tij Marvi Mihali dhe pas shumë telefonatash ka arritur ta bindë këtë të fundit.
Sapo ka mbërritur Mihali, Haxhiu ka goditur me grusht një prej të dyshuarve, ndërsa Marvi ka ndërhyrë për t’i ndarë dhe aty është goditur me thikë nga Devi Bitraj.
Familjarët kërkuan që dy kushërinjtë, Dejvi dhe Eugen Bitraj dhe vëllezërit Kridens dhe Marsel Alla, të përgjigjen për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim sepse sipas tyre i kanë ngritur kurth Marvit.
*Pamjet e vrasjes së Marvi Mihalit