Kryetari i Bashkisë së Tiranës është duke zhvilluar një takim me banorë të Unazës së re njohur ndryshe si zona e Astirit në ambientet e këshillit bashkiak. Ai iu drejtua banorëve të pranishëm dhe të tjerëve që po e ndjekin nga ekrani “hajde të gjejmë gjuhën me njerëzillëk”.
Më tej tha: “Dy shtëpitë që u prishën dje kishin ndërtuar shtëpi tek kanali i ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot ata janë të sistemuar në banesat sociale. Për këtë kategori (hallexhinjtë) iu them hajdeni një orë e më parë e sistemohuni edhe ju në banesa që ua paguan bashkia”.
Banesa mbi puseta
“Këtu asnjë nuk do që të ketë të humbur dhe besoj që ekziston i gjithë mirëkuptimi, dashamirësia që të mos humbasë askush. Kur flas të mos humbasë askush dua t’i ndaj këto kategori. Kush është hallexhi, kush është pa lekë, kush është pa legalizim, si rasti i 2 familjeve që lëvizën mbrëmë, e pashë familjen e parë, do shkoj ta takoj prapë, kishin bo shtëpi me kushtet, me një jetë shumë të vështirë te kanali i ujërave të zeza. Brenda në shtëpinë që u prish mbrëmë, te dy të parat, ishte puseta e ujërave të zeza. Kishin vënë qilimin sipër, tavolinën sipër qilimit dhe jetonin mbi kapakun e ujërave të zeza. Sot janë te banesat sociale, por prapë më mirë që u prish ajo gjëja pa leje mbi kolektor dhe sot kanë një shtëpi të cilën mund ta mbajnë pafundësisht”, u shpreh Veliaj.
Veliaj bëri të ditur edhe një herë se për të gjithë ata që s’kanë mundësi ekonomike Bashkia e Tiranës ka vendosur në dispozicion disa zgjidhje nga paketa e saj sociale, duke filluar që nga bonusi i qirasë e deri te strehimi në banesa sociale. “Bonusi i qirasë cash është 3 vjet, po edhe atë mund ta rrisim, po banesa sociale gjithë jetën.
Do të thotë që jemi përgatitur që për të gjithë këtë kategori si dy shtëpitë që u prishën mbrëmë, si dy shtëpitë që u prishën sot në mëngjes, si dy shtëpitë që do të prishen tani në drekë që hyjnë te kategoria që as kishin bërë letra legalizimi, as kishin certifikatë pronësie, as kanë thjesht me fut kokën diku, sot e kanë fut kokën në një vend shumë më të mirë, me punonjëse sociale, me mensë sociale, me restorant, me të gjithë shërbimet që iu ofron në atë zonë”, shtoi kryebashkiaku.
Veliaj premton leje ndërtimi
Ndërkohë, ai u bëri edhe një premtim tjetër banorëve që banesat i kanë të regjistruara se përveç shpronësimit do t’u sigurohet edhe leje ndërtimi nëse ata kanë tokë tjetër për të ndërtuar. “Ka një kategori të dytë që ka të bëjë me çështjen e shpronësimit dhe në pjesën më të madhe na rezulton që përveçse përfitojnë nga shpronësimi kanë edhe pjesë toke mbrapa. Kush ka tokë tjetër mbrapa të vetën, që nuk e prek fare gjurma, të vijë që nesër të aplikojë për ndërtim në bashki, koeficientet janë publikë, nuk është një gjë që po e bëjmë sot me presion. Futuni te Tirana.al dhe shikoni që aty është, ka një vit koeficienti. Ama nëse shpronësohesh do ta ketë te shpronësimi, nëse nuk shpronësohesh i gjithë territori që preket nga gjurma që është tokë jotja të quhet koeficient te ndërtimi që do të bësh vetë.
Pra, në qoftë se ke këtë hapësirë, 30-40% ta zë rruga dhe 50-60% e ke tokën tate që s’ta prek, atëherë të gjithë metrat që të takojnë në pallatin tënd apo në ndërtesën tënde të transferohen te kjo pjesë dhe krejt papritur nuk je më hallexhi, por je dikush që ke ndërtuar në vijë të parë të rrugës më të rëndësishme sot të Shqipërisë”, tha kryebashkiaku.
Veliaj për PD e LSI
“Ka edhe një kategori tjetër që është një kategori që me thënë të drejtën unë nuk e ndihmoj dot, që është kategoria e politikanëve. Kategoria e atyre që duan të kandidojnë në listat e ardhshme, kategoria e atyre që nuk janë fare banorë aty, por që vijnë me autobusë për to. Janë një kategori që nuk i ndihmojë dot, ata kanë nevojë për ndihmë sociale, për këshillim, ata kanë nevojë për dashuri nga shoqëria, por këta s’janë banorë, dhe vijnë aty për sport, siç vijnë tek lodrat, siç vijnë tek teatri.
Kush vjen deputet që deri dje ishte në Londër, që s’i ka prek këmba ndonjëherë tokë, që zbret nga “Range”, me puro, vjen dhe ngre gishtat lart që të kapë kandidimin prapë, pastaj shkon për haviar, vallaj kjo është që kategori që vjen aty për hallin”.