Christian Panucci nuk ka ndërmend të tërhiqet, as pas asaj mbrëmjeje katastrofike në “Loro Boriçi”, kur Shqipëria u “shkërmoq” dhe u mposht me rezultatin e thellë 4-0 nga Skocia, në ndeshjen e fundit të Ligës së Kombeve.
Për hir të së vërtetës, “mëkatet” e Panuccit në këtë sfidë janë minimale, pasi tekniku hodhi në fushë më të mirët që kishte në dispozicion, por pa që të besuarit e tij të bënin gabime amatoreske, që sollën golat e parë, por edhe kartonin e kuq.
Megjithatë, ndryshe nga herët e tjera, Panucci zgjodhi të marrë në mbrojtje lojtarët e tij dhe të hedhë mbi shpinën e tij të gjitha fajet për humbjen e thellë, ndërsa konfirmoi se nuk do të largohet nga Shqipëria, por do të luajë shanset për ndryshimin e situatës.
“Sot gabova vetëm unë me zgjedhjet e mia. Lojtarët nuk më tradhtuan, madje bënë shumë mirë dhe u përpoqën gjatë gjithë ndeshjes. Zgjedhjet e mia ishin të gabuara, por duhet të shohim përpara. unë besoj te lojtarët dhe besoj se mund të kalojmë këtë situatë, për të arritur te rezultatet pozitive”, deklaroi Panucci pas ndeshjes.
Natyrisht kjo deklaratë lë pak vend për interpretim, me teknikun italian që ka konfirmuar se nuk ka ndërmend të largohet dhe për më tepër, as të thyejë raportet me lojtarët e tij, të cilët i ka mbrojtur si kurrë më parë.
Gjithsesi e ardhmja e tij mbetet ende për t’u deshifruar, pasi kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka nuk e ka thënë ende fjalën e tij, ndonëse më herët kishte paralajmëruar një analizë të punës së teknikut./t.ch/