Aksioni i paparashikueshëm i Policisë dhe Prokurorisë Themelore të Prizrenit, sot brenda shtëpisë së Burdushit, rezultoi me gjetjen e armëve, plumbave, parave, CD-ve, telefonave mobilë dhe vulave. Iu sekuestruan edhe tri vetura. Përveç dyshimeve fillestare se Burdushi shmanget nga tatimet e shtetit dhe mashtron njerëz, disa orë bastisje, Prokurorisë ia krijuan terrenin që ai tash të hetohet edhe për dy vepra të tjera, “armëmbajtje pa leje” dhe “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore”.
Adresa e mijëra personave, që për zgjidhjen e problemeve të ndryshme i trokisnin në derë, Hysri Peqani apo siç njihet në popull Burdushi, po akuzohet për katër veprimtari të jashtëligjshme, të cilat sipas kodit penal të Republikës së Kosovës mund t’i kushtojnë të paktën me 12 vjet burgim.
Prokurori Petrit Kryeziu në një bisedë për Gazetën Express tha se bastisja në shtëpinë e Burdushit është bërë për shkak të dyshimeve për shmangie nga tatimi dhe mashtrim. Por gjatë gjetjes së gjësendeve të ndryshme brenda shtëpisë së tij ai po dyshohet edhe për dy vepra penale si: Armëmbajtje pa leje dhe ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive mjekësore.
“Gjatë bastisjes atij iu gjet armë dhe municion. Dyshohet edhe për dy vepra të tjera penale ‘Armëmbajtje pa leje’ dhe ‘ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarive mjekësore’”, tha Kryeziu. Ai shtoi se Burdushit iu sekuestruan edhe tri vetura.
Pas bastisjes së shtëpisë Burdushi është vënë në prangat e Policisë dhe është ndaluar për 48 orë.
Në rast se i referohemi Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimet për Burdushin mund të jenë si në vijim:
“Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dënohet me gjobë deri në 7.500 euro ose 5 vjet burgim.
Vepra penale “Mashtrim”, dënohet me gjobë ose prej 3 muaj deri në 3 vjet burgim.
“Shmangia nga tatimi”, dënohet me gjobë dhe me burgim 3 vjet.
“Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 1 vit.
Në shumë paraqitje mediale, Burdushi tregonte se zanatin e trashëgoi nga i ati. Ai tha se këtë zanat e ka ushtruar për më shumë se tri dekada. Burdushi pretendon se u ka gjetur zgjidhje shumë personave me probleme të ndryshme.
Ndërsa, Prokuroria ka konfirmuar se bastisja e shtëpisë së tij ka filluar nga informacionet e publikuara nëpër media. Ai edhe u arrestua pas deklaratave të fuqishme në T7. Burdushi u rrëfye për shumëçka në “Frontal” të T7, pasi Prokuroria Themelore e Prizrenit ngriti aktakuzë në të cilën ngarkohej për veprën penale “Mashtrim”.
Aktakuza sqaron se ai akuzohet se një personit ia ka marrë 2 000 euro për ta shëruar nga depresioni. /Burimi: Gazeta Express