Nga Kastriot Dervishi
Gjatë evidentimit të personave të dënuar me burgim dhe me vdekje gjatë diktaturës komuniste, hasa këto ditë edhe një rast të jashtëzakonshëm, arrestimin e një 13-vjeçari. Më parë kisha hasur raste të dënimeve për arsye politike të moshave 15-16 vjeç.
13 vjeçari Feti Sadik Tutulli, lindur në vitin 1933 në Trebinjë të Mokrës, u arrestua më 15.6.1946. Së bashku me të u arrestua më 27.6.1946 edhe kushëriri i parë 26 vjeçari Irfan Xhelo Çela nga Selcka. Prokuroria e Gjykatës Ushtarake Korçë i akuzonte se ishin bërë anëtarë të Ballit Kombëtar qysh në krijim të tij dhe kishin marrë pjesë në luftime kundër partizanëve.
D.m.th, 13 vjeçari që në vitin 1942 ka qenë 9 vjeç ishte anëtarësuar në forumet e Ballit Kombëtar dhe qysh këtë kohë kishte marrë armën kundër partizanëve. Babai i Fetiut ishte njëri prej të vrarëve nga komunistët në masakrën e Dunicës në mars 1944.
Vendimi
Në deklarimin përpara gjykatës ushtarake, 13 vjeçari mohoi të kishte qenë anëtar organizate apo të kishte djegur shtëpi. Në përfundim Gjykata Ushtarake e Korçës e përbërë nga kapiten II Llazi Polena (zëvendëskryetar), kapiten I Agush Gjergjevica dhe kapter Shaban Pogradeci (anëtarë) duke pasur pranë prokurorin kapiten I Misto Bllaci, i deklaroi fajtorë në bazë të ligjit nr.41 “Mbi organizimin e gjykatave ushtarake” dhe me vendimin nr.240, datë 16.8.1946.
Irfani u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa Fetiu me 30 vjet burgim me punë të detyruar, konfiskimin e pasurisë dhe heqjen e të drejtave civile.
Gjithë këta ushtarakë të lartë duke u marrë me një fëmijë. Mbajtja në burg e një 13 vjeçari, apo dërgimi i tij në kampin e Maliqit për të punuar, ishte një turp i madh që shihej e komentohej shumë.
U lirua pas 3 vjetësh dekretin nr.819, datë 27.4.1949 të Presidiumit të Kuvendit Popullor (nr.33 i listës në Burgun e Korçës). Megjithatë, menjëherë u internua e sigurisht nuk kaloi një jetë të qetë.