Në Gjykatën për Krimet e Rënda, vijoi sot procesi në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Në këtë seancë u paraqitën konkluzionet e palës mbrojtëse të të pandehurve. Sot ka folur para trupës gjykuese avokati i Emiliano Shullazit, Vladimir Meçe.
Në një material të gjatë dhe voluminoz, avokati Meçe argumentoi pse nuk i pranon akuzat e prokurorisë ndaj klientit të tij Emiliano Shullazi. Në fund të konkluzioneve avokati kërkoi pafajësi për Shullazin.
Ndërsa avokatet e 4 të pandehurve të tjerë kërkuan kohë për paraqitjen e konkluzioneve dhe seanca e radhës në Gjykatën e Krimeve të Rënda u caktua në datën 13 Nëntor. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar në total një dënim me 64 vite burg për grupin e Shullazit. Për vetë Emiliano Shullazin është kërkuar dënimi me 17 vjet burg.
Pretenca është përgatitur nga prokurorët Donika Prela, Besnik Muçi, Anton Martini dhe Gent Osmani.Grupi i Shullazit akuzohet për krijimin e grupit të strukturuar kriminal, kanosje për shkak të detyrës dhe shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie.