Në kuadër të operacionit në territor “Ndëshkimi i “të fortëve”, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, u bë kapja dhe ndalimi i të kërkuarit Gazmir Mehmetaj, 45 vjeç, lindur në Treblovë dhe banues në Vlorë.
Kapja e tij u bë në lagjen “Pavarësia” Vlorë, në kuadër të kontrolleve si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë nr.270, datë 29.05.2017, e cila këtij shtetasi i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 283/a/2, 22 të Kodit Penal.
Ngjarja i referohet një procedimi penal në vitin 2013, ku bëhet fjalë për konstatimin e një sasie lënde narkotike në “Luginën e Vilunit” Shkodër.
Asokohe në fshatin Vilun të Velipojës, u sekuestrua nga policia e Shkodrës e mbështetur nga FNSH-ja, rreth 1.5 ton drogë. Pakot e kanabisit të ambalazhuara me natriban po përgatiteshin të ngarkoheshin në një gomone që do të transportonte lëndën narkotike drejt Italisë.