Gjykata e Tiranës dha sot një vendim të favor të kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj dhe kundër anëtarit të djathë të këshillit bashkiak, Akil Kraja.
“Jam shpallur fajtor për një status në facebook”, tha Kraja në një prononcim për Opinion.al në përfundim të seancës.
Unë kam deklaruar se rritja e çmimit të ujit për Tiranën është aferë korruptive. Për këtë Veliaj më ka paditur dhe gjyqtarja Rikleta Panajoti vendosi sot të shprehet në favor të paditësit”, tha më tej Kraja. Sipas tij, “gjykata nuk i hyri në themel çështjes, pasi jam bazuar në të dhënat e Autoritetit të Konkurences, dhe as nuk iu referua deklaratave të mia zyrtare, por u bazua tek statuset në facebook”.
Dënimi ndaj tij për shpifje shoqërohet edhe me një gjobë prej 1 milionë lekësh (të vjetra). Sipas Krajës, të bëhesh zëri i qytetareve, të shprehesh për shqetësimet e tyre, në këtë vend dënohesh.
Në një shkrim të pak ditëve më parë rrjeti i gazetarëve investigativë “BIRN” shkruante se gjyqet në Shqipëri i fiton gjithnjë pushteti, dhe ky është një rast tjetër ku dënohet opozita dhe fiton mazhoranca, vetem se kësaj radhe në nivel lokal.