Senati amerikan ka votuar me vetëm një votë diferencë në favor të të nominuarit nga presidenti Donald Trump për vendin vakant në Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh, duke hequr kështu pengesën e fundit përpara votimit përfundimtar që do të mbahet të shtunën.
Votimi përkoi edhe me shumicën republikane në Senat, pra 51 pro dhe 49 kundër.
Vota e kësaj të premteje, që konsiderohej hapi që i jepte fund debateve dhe kalimin në votim, ishte një test mbështetjeje për kandidatin e sulmuar aq shumë, kryesisht mbi akuza për agresione seksuale ndaj disa femrave kur ishte ende adoleshent.
Tashmë, të gjithë sytë do të fokusohen ditën e nesërme, kur të mbahet edhe votimi final për konfirmimin ose jo të Kavanaugh, gjë që nëse është favorizues do ta kthente Gjykatën Supreme me një shumicë konservatore.
Trump reagoi menjëherë pas votimit të kësaj të premteje, duke u shprehur “tejet krenar” për këtë gjë. Paneli prej 9-anëtarësh ka fjalën e fundit mbi çështje të tilla si aborti, kontrolli i armëve dhe rregullat e votimit, ndërsa gjyqtarët emërohen përjetë.
Qindra protestues kundër Kavanaugh u arrestuan në Uashington DC gjatë së enjtes, përfshi komedianen Amy Schumer. Protesta u mbajt në të njëjtën ditë kur FBI-ja jepte raportin mbi hetimin e saj ndaj akuzave të ngritura mbi Kavanaugh./T.Ch/