Ditën e sotme u arrestua 25-vjeçari Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai akuzohet nga Gjykata e Krujës, për dhunim dhe përndjekje ndaj ish të dashurës së tij Xhisela Maloku.
Mësohet se Prokurorja Mirela Kapo ka kërkuar sot nga gjykata e Krujës arrestimin e Rrajës dhe gjykata ka pranuar kërkesën e saj. Vendimi u ekzekutua menjëherë nga punonjësit e policisë, ndërsa i akuzuari ndodhet në komisariat.
Vendimi i gjykatës vjen edhe pas administrimit të aktit të ekspertizës për të renë e dhunuar dhe e torturuar nga Rraja. Ditën e djeshme Rexhep Rrahja është përballur me Xhisela Malokun, nga ku kanë dhënë dëshmi kontradiktore. Gjithashtu në pyetja janë marrë nëna dhe motra e Malokut, si edhe të afërm të Rrajas.
Ai tashmë do duhet të përballet me gjykatën për dhunën e ushtruar ndaj të resë, e ndodhur që në muajt e verës por e mbajtur e fshehur. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe ankesat nisi një hetim për veprimet e mosveprimet e policisë me këtë rast. Pas 72 orësh Rexhep Rraja do të dal në gjykatë për masën e sigurisë./Opinion.al