Kreu i PD-së, Lulzim Basha, të mërkurën, e ka konsideruar ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar si antikushtetues, i cili duhet të rrëzohet nesër në Kuvend.
Basha tha se të enjten në Kuvendin e Shqipërisë do të kryehet një akt antikushtetues. Ai tregoi se ligji do të amendohet për t’i hapur rrugën një procesi fasadë 30 ditorë.
Sipas tij, në fund të këtij procesi, krimi i organizuar do të marrë lejen për të përfituar pronën publike.
Po shkatërrohet një vlerë e kulturës, historisë, trashëgimisë kulturore dhe memories qytetare dhe kombëtare siç është rrethi kulturor Skënderbe dhe Teatri Kombëtar.
Basha tha se kjo gjë po ndodh për të pastruar parat e krimit dhe drogës me një fitim marrëmendës. Kryedemokrati tha se Rama dhe bashkëpunëtorët e tij përfitojnë 200 milionë euro.
Në fjalën e tij, Basha paralajmëroi cilindo deputet nesër në Kuvend që do ngrejë dorën për të votuar.
Kushdo që do të ngrejë kartonin nesër në Kuvend, do të trajtohet nga opozita si terrorist-shtetëror. Është akt grusht shteti dhe vendos çdo deputet të Rilindjes në pozita të barabarta me terroristët.
Basha priti të mërkurën në takim një grup artistësh nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.
Takimi u zhvillua në mjediset e selisë blu, ku u diskutua për ligjin e Teatrit. Një ligj ku pritet të diskutohet nesër në Parlament.
Mazhoranca një ditë më parë pranoi dekretin e Presidentit Meta, i cili ktheu për rishqyrtim ligjin për teatrin.
Pranimi i dekretit u bë me disa ndryshime, ku kryesorja ishte hapja e garës për projektin.
Por opozita vazhdon të mbajë të njëjtin qëndrim duke e konsideruar ligjin si antikushtetues./Opinion.al