Ngjarjet e fundit kriminale në Shkodër, midis të cilave edhe ajo e sotme ku u ekzekutua biznesmeni 30 vjeçar Arjan Verracaku, kanë sjellë edhe reagimin e kryetares së Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi.
“Shkodra po përjeton periudhën e saj më të vështirë ku krimi po bën ligjin!
Në më pak se tre muaj janë 6 të vrarë dhe dy persona të zhdukur në territorin e Bashkisë së Shkodrës.
Ankthi për jetën dhe të nesërmen po zbret frikshëm në këtë rajon.
Si nënë, motër, grua, si kryetare e Bashkisë së Shkodrës i drejtohem kryeministrit të Shqipërisë, e Qeverise: Mjaft më! Ju mbani përgjegjësi për këtë që po ndodh!
U drejtohem të gjitha forcave politike, deputetëve e medias, përfaqësive ndërkombëtare në Shqipëri: Ju s’mund të qëndroni indiferent! Askush nuk mund të qëndrojë indiferent! Për fëmijët dhe familjet tona, për të ardhmen tonë e të Shkodrës tonë!
Shkodra nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë kjo e tre muajve të fundit, nuk duhet ta lëmë të hyjë në një rrugë pa kthim.”, shkruan Ademi.