Ministri ynë i Jashtëm ka pritur sot përfaqësues politik të Luginës së Preshevës në kultimin e debateve për ndryshimin e kufijve. Një debat që po zhvillohet në Kosovë, i nxitur kryesisht nga Presidenti Thaci i cili është prononcuar për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën.
Përmes një komunikateve për mediat, që ka nisur zyra e shtypit e Ministrisë së Jashtme mësohet se Bushati nuk ka përmendur aspak dhe as mbështetur tezën e Thaçit për të ndryshuar kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ja deklarata e plotë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, priti sot një grup të përfaqësuesve politikë të Luginës së Preshevës. Në qendër të diskutimit ishin situata e të drejtave të Shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, si dhe zhvillimet e tanishme në rajon.
Ministri Bushati dëgjoi mendimet dhe kërkesat e parashtruara nga përfaqësuesit e spektrit politik të Luginës, me fokus kryesor shqetësimin e tyre për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standarteve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.
Ministri Bushati ritheksoi angazhimin tonë për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë inisiativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare. Ai i siguroi bashkëbiseduesit se Shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.
“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoritetve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negociimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh ministri.
Përfaqësuesit e Luginës parashtruan mendimet e tyre edhe mbi zhvillimet e tanishme në Rajon, veçanërisht procesin e Dialogut Kosovë-Serbi. Në këtë kontekst, Ministri Bushati ndau me bashkëbiseduesit qasjen e Shqipërisë në raport me këto zhvillime, duke e vënë theksin tek rëndësia e vijimësisë së Dialogut dhe orientimin e tij në mënyrë efektive, në terma të qartë, pa ekuivok dhe të balancuar për sa i përket zbatimit të plotë të marrëveshjeve dhe avancimin e proceseve integruese të Kosovës. “Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i Dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai.