Nga Kastriot Dervishi
Falsifikatorët e historisë kanë karakteristikë se janë të pandryshueshëm. Asnjëherë ata nuk pranojnë të vërtetën. Fotografitë e censuruara janë forma më e dukshme e manipulimit të tyre. Falsifikuesit i japin të drejtën vetes se kanë gjithnjë të drejtë, pavarësisht kohëve kur u zbulohet vepra. Kur e vërteta zbulohet, del se e kaluara nuk ka qenë gjë tjetër veçse një gënjeshtër.
Mjafton të shihni këto ditë reagimet e enveristëve kur kam paraqitur foto të falsifikuara. Asnjëherë prej tyre nuk debaton mbi shkakun e falsifikimit, por merret me gjëra krejt pa lidhje me objektin e postimit. Çfarëdo gjëje të ketë bërë idhulli i tyre, që ka vrasjet, poshtërimi i një populli, etj, këta i pranojnë me shumë qejf, madje i shesin si fitore.
Vijoj edhe në postimin e sotëm, me një tjetër fotografi. Është e vitit 1943. I takon kohës së ilegalitetit të Enver Hoxhës. Një moment relaksi, besohet se Miladin Popoviçi që mbante me vete gjithnjë një aparat fotografik, ka fotografuar Enver Hoxhën teksa ai së bashku me Kadri Hoxhën (i hequr nga fotoja) dhe Spiro Moisiun, po mrekullohet nga pamja që i shfaq dylbia. Nuk duket që jemi në situatë lufte, por në një situatë qejfi. Ai që po i mëson si të shohë me dylbi nuk figuron në albumet e ndryshme. kjo sepse u dënua dhe kaloi jetën në burgim dhe internim.