Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Mbështetësit e vegjël të ideve të mëdha

2018/08/08 at 11:45 AM
në Komente, Kryesore
Kohë leximi: 8 min
A A
Mbështetësit e vegjël të ideve të mëdha

Nga Mehmet Kraja


Idetë kombëtare janë ide të mëdha dhe brenda tyre përpiqen të akomodohen edhe ata që i ndiejnë me krejt qenien e tyre problemet e kombit, pra patriotët e vërtetë, por edhe ata që e përdorin kombin për pushtet, për prestigj të rrejshëm, për përfitime politike, për përfitime materiale etj., sepse, siç është thënë tashmë, patriotizmi është vërtet ndjenjë fisnike, por është edhe strehë për t’u fshehur edhe horrat dhe krejt soji i tyre. Te ne, meqë tashmë kemi arritur një shkallë të demokratizimit të mendimit, të drejtën për të ndarë “etiketa” kombëtare e kanë të gjithë, edhe ata, të cilët që më shumë se njëzet vjet përdorin retorikën patriotike “bam-bam-bam!” për të heshtur oponencën, por edhe ata që në emër të kombit vërtet nuk kanë lënë gjë pa bërë. Asgjë nuk është e fshehtë dhe asgjë nuk është histori e largët. Të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur me ne gjatë viteve ’90 dhe më herët, e dimë se kush ishim dhe çfarë bëmë: sekush punoi vërtet që punët e kombit dhe të Kosovës të shkonin mbroth; sekush u vu në shërbim të pushteteve, ideologjive, diktaturave, armiqve, madje edhe vrasësve; sekush tjetër krejt atë situatë tragjike e kaloi duke qëndruar anash, sa për shkak të bindjeve politike, sa për shkak të burracakërisë dhe qyqarllëkut. Vetëm se, tamam vetëm se, e drejta për t’i ndarë këto kategori nuk i takon askujt në mënyrë eksplicite, ngase një numër historish me LDK-në tashmë janë bërë të mërzitshme, sikundër që një numër tjetër historish me UÇK-në janë bërë të pabesueshme.

1.

Përveç retorikës, së cilës pakkush i beson, monopolin e argumenteve nuk e ka më askush. Midis çlirimtarëve janë identifikuar qartë një numër syresh që tashmë i kanë shitur lirë idealet e tyre të kryehershme. Midis atyre që iu bënë çlirimtarëve oponencë politike dhe ideologjike tashmë janë identifikuar qartë ata që e përdorën dhe e keqpërdorën “rezistencën paqësore”. Prandaj, zhvillimi i diskutimit mbi këtë bazë, në një rrethanë të këtillë, më duket krejt i pamundur. Më duket i pamundur, sepse mua, si qytetar i Kosovës, askush nuk më jep garanci se ish-çlirimtarët, pasi kanë marrë mirënjohjen time jetësore për më shumë se njëzet vjet, disa syresh, për shkak të interesave meskine dhe krejt personale (për të shpëtuar lëkurën e vet, pasurinë, privilegjet e pushtetit etj.), tani do të jenë në gjendje të kërkojnë dhe të gjejnë një zgjidhje të përshtatshme për Kosovën edhe atje ku ajo nuk është, sepse jemi dëshmitarë se një numër syresh, në mënyrën më të pashembullt e kanë konvertuar në pushtet idealin e tyre dhe idealin tonë të lirisë. Sepse, është e ditur, disa pasione të ulëta njerëzore dalin në shesh pikërisht atëherë kur heshtin armët. Gjithashtu, askush nuk më jep garanci se partia politike, në themelimin e të cilës kam marrë pjesë dikur, pra LDK-ja (aq më bën se qenka regjistruar në Beograd, le të mos ia japin votën, pra!), pasi e ka keqpërdorur dhe e ka manipuluar “rezistencën paqësore” gjatë viteve ’90 dhe ka bërë pazare nga më të pamundshmet për pushtet, tani, duke luajtur lojën e strucit, nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi as papërgjegjësinë e vet. Dhe askush nuk më jep garanci se në mbrojtje të kësaj kauze do të qëndrojë Lëvizja “Vetëvendosje!”, sepse ajo, ose një pjesë e saj, pasi i trullosën kosovarët me ideale të rrejshme, në ballafaqimin e parë me pushtetin e humbën toruan dhe u bënë pikë e pesë, duke mbetur pa identitet dhe integritet. Besimin tim nuk e ka as Shqipëria, qoftë e socialistëve apo e demokratëve, sepse, përveç mësimeve tragjike të historisë më të hershme, në memorien tonë kemi të regjistruar aq shumë raste të abuzimit me “solidaritetin vëllazëror” ndaj Kosovës, sa ndonjëherë nuk na bëhet t’i themi të gjitha. Si mund t’i besohet Shqipërisë, se do të qëndrojë e paepur (!) në mbrojtje të interesave të Kosovës, kur po kjo Shqipëri, për interesa aq meskine helmon popullin e vet me miell për kafshët që importon nga Serbia? Si mund t’i besohet kësaj Shqipërie, që një ditë vë kufij e një ditë tjetër heq kufij me Kosovën, që një ditë vë dogana e ditën tjetër heq dogana, kur as patatet e Kosovës nuk i lejon të hyjnë në tregun e saj? Dhe, ç’garanci mund të kem se një Shqipëri e këtillë i mbron interesat e Kosovës, kur Presidentja e Kroacisë, znj. Grabar-Kitaroviq, më 19 korrik 2018, gjatë një fjalimi në Kuvendin e Shqipërisë falënderoi shqiptarët për kontributin që kanë dhënë për lirinë e vendit të saj, një kor i tërë mediesh dhe politikanësh, të hidhëruar e të zemëruar, e të shastisur se mos po lëndohet Serbia, dalin e pohojnë solemnisht: asnjë shqiptar nuk ka luftuar dhe as ka derdhur gjak për lirinë e Kroacisë! Po kosovarët? Ah, po, ata janë tjetër gjë! Rolin e të tillëve duhet mënjanuar sa më parë nga çdo agjendë politike me parashenjë kombëtare.

2.

Në një rrethanë kësisoj, kur ekziston një shkallë e këtillë relativiteti, e vetmja zgjidhje është të jesh skeptik dhe të mos i besosh askujt. Dhe kur idetë e mëdha të kombit gjejnë mbështetës kaq të vegjël, si në këtë rast; dhe kur vetë idetë janë në rrezik të madh të degjenerojnë në tërësinë dhe kuptimin e tyre, e vetmja zgjidhje është t’i besosh mendimit kritik dhe askujt tjetër. Dhe ky mendim kritik thotë se nuk kishte asnjë arsye që çështja e ndarjes apo mosndarjes së Kosovës, e ndërrimit të territoreve ose e korrigjimit të kufijve, quajeni si të doni, të hapej pikërisht në këtë kohë dhe në këtë rrethanë. Ky mendim kritik nuk e pranon se Serbia, nga një shtet që ka ushtruar gjenocid mbi popullin tonë, si me magji u bëka e butë si qengj, e fisme dhe zemërgjerë, sa të pranojë t’i jepet Kosovës edhe Lugina e Preshevës, edhe veriu i Kosovës. Ç’janë këto tullumbace politike që hidhen në eter me kaq naivitet ose djallëzi? Kush e beson këtë patriotizëm të rremë? Që sa vjet zhvillohen bisedime në Bruksel dhe mezi janë arritur ca marrëveshje të mjera praktike, të cilat, për shkak të refuzimit arrogant dhe të vazhdueshëm të Serbisë, nuk gjejnë dot zbatim në terren. Mendimi kritik nuk e pranon idenë se me Serbinë, Kosova do të bëjë shkëmbime paqësore të territorit, ndërsa kjo thuhet pikërisht tani, kur në kalimet kufitare Kosovë-Serbi, bashkatdhetarët tanë, të shëndoshë dhe të sëmurë, me fëmijë të vegjël dhe të rritur, pasi të kenë bërë 40 orë udhëtim nga vende të ndryshme të Europës, presin edhe nga pesë orë të tjera për ta kaluar këtë kufi të mallkuar. Kush mund t’i besojë këta zotat tanë të politikës, se do të bëjnë gjëra kaq të madha, siç është korrigjimi i kufirit me Serbinë, pa humbur Kosova asnjë pëllëmbë tokë, kur ata, që njëzet vjet e këndej, nuk janë në gjendje ta detyrojnë Serbinë të zbulojë varrezat masive dhe t’i kthejë eshtrat e të pagjeturve? Po rryma, po fusnota, po përfshirja e Kosovës në organizata ndërkombëtare, po FSK-ja, po ndërrimi i kushtetutave, të Kosovës dhe të Serbisë? Dhe, derisa zotat tanë të politikës dhe frymëzuesit e tyre tjerrin ëndrra ose gënjejnë në mënyrën më të paskrupullt për marrëveshje historike me Serbinë, është po kjo Serbi që e nderon, e lutë, i bën respekt dhe koncesione secilit shtet që nuk e njeh ose e tërheq njohjen e Kosovës.

Po vetë Kosova a i ka pozitat aq të fuqishme, sa të imponojë marrëveshje të favorshme me Serbinë? Nga ajo që shihet, që e dinë qytetarët e Kosovës, jo që jo: liderët kryesorë të Kosovës pritet të akuzohen nga një gjykatë ndërkombëtare; ekziston perceptimi i bashkësisë ndërkombëtare se në Kosovë krimi i organizuar dhe korrupsioni bën kërdinë; reformat në të gjitha fushat kanë ngecur dhe askush nuk flet më për to; investimet e huaja kanë pësuar rënie dhe ekonomia nuk premton ditë më të mira. Përveç kësaj, qytetarët e Kosovës e dinë fare mirë se liderët e saj politikë të të gjithë krahëve dhe ngjyrave janë të varur nga sponsorë, të cilët ditën shesin patriotizëm për Kosovën, kurse gjithë natën bëjnë tregti dhe kontrabandë me Serbinë. Një Kosovë e këtillë nuk është për mburrje dhe, natyrisht, nuk mund t’i bëjë karshillëk askujt, që domethënë se pozita negociuese e Kosovës dhe e atyre që i bëjnë negociatat është krejt përtokë. Pra, Kosova nuk i ka kryer detyrat e saj, ato detyra që i ka marrë përsipër ndaj qytetarëve të saj dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare, për t’u bërë një shtet i respektuar dhe kredibël. Tani për tani Kosova nuk ka potencial real që të imponojë zgjidhje, as për çështjet më ordinere, jo më për të tilla që tronditin kontinentin. Me pozitën e saj aktualisht të pafavorshme, Kosova e politikës reale, jo e retorikës folklorike, nuk do të jetë në gjendje të imponojë as zgjidhje simetrike të Luginës së Preshevës me asociacionin e komunave serbe, e jo më ndonjë gjë më shumë se kaq. Sepse është po kjo klasë politike e Kosovës, e cila nuk ka arritur të imponojë përfshirjen e Luginës në asnjë agjendë politike ndërkombëtare, as në bisedimet e Vjenës, as Pakon e Ahtisaarit, as në bisedimet e Brukselit.

3.

Së fundi, a ekziston vërtet një përkrahje ndërkombëtare për një marrëveshje të mundshme të Kosovës me Serbinë, edhe për shkëmbim territoresh, ose korrigjim kufijsh, siç pretendohet tani? Sigurisht që po, sepse është parim themelor i politikës ndërkombëtar të pranohen të gjitha marrëveshjet që janë paqësore dhe që nuk cenojnë palën e tretë. Mirëpo, kjo është një hipokrizi e shkallës shumë të lartë, nëse një parim ndërkombëtar afishohet si ndërrim i politikave të atyre vendeve që e bënë pavarësinë e Kosovës. Më anë tjetër, mendimi kritik të bën të dyshosh se me një lojë të këtillë territoresh Serbia nuk synon as të japë Luginën e Preshevës, as të mbajë veriun e Kosovës, por të hapë kapitullin e ristrukturimit të Bosnjës, sepse atje ajo synon të dalë e fituar. Po me Maqedoninë, e di kush se çfarë do të ndodhë pastaj?

Megjithatë, larg retorikës patriotike të llojit “bam-bam-bam!”, përveç faktorizimit politik të ndonjë individi, a pritet të ndodhë diçka që ia vlente gjithë këtë zallamahi dhe frustrim politik të opinionit? E kam thënë dhe do ta përsëris: pa mëdyshje, kjo është kauzë e Serbisë, sepse vetëm ajo mund të dalë e fituar në këtë rrethanë, jo me ndonjë shkëmbim territoresh as korrigjim kufijsh, por thjeshtë me një asociacion të komunave serbe, me kompetenca ekzekutive dhe me shtrirje të përkufizuar territoriale, i cili, nëse pranohet si i tillë, rrezikon seriozisht ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës. Si kompensim për këtë koncesion të madh që mund t’i bëhet Serbisë, Kosovës mund t’i premtohet ulëse në OKB. Por çfarë do të jetë ajo ulëse? Si e Palestinës?

Për mua: Jo, faleminderit!

 

Etiketa: mehmet kraja


Ju sugjerojmë

VIDEO/Serë me kanabis në Krujë, arrestohet 28 vjeçari i shpallur në kërkim
Aktualitet

VIDEO/Serë me kanabis në Krujë, arrestohet 28 vjeçari i shpallur në kërkim

24 Maj, 2025 11:44 am
“Krimet zgjedhore,“zonat më të nxehta”/ 44 kallëzime për parregullsi, 20 procedime
Aktualitet

Krimet zgjedhore, Prokuroria e Përgjithshme: 107 kallëzime, për 47 u nis procedimi

24 Maj, 2025 11:26 am
Fier/ Grabiti 4 biznese brenda natës, arrestohet 28-vjeçari
Aktualitet

Fier/ Grabiti 4 biznese brenda natës, arrestohet 28-vjeçari

24 Maj, 2025 11:16 am
Tiranë/ Ndalohet shtetasi turk, kreu i një organizate kriminale. Ja pse  akuzohet
Aktualitet

Tiranë/ Ndalohet shtetasi turk, kreu i një organizate kriminale. Ja pse akuzohet

24 Maj, 2025 10:39 am
‘Dikush më pyeti:Si i more 4 mandate?’/Rama:Ndoshta fitoj se s’jam socialist i mirë!
Aktualitet

‘Dikush më pyeti:Si i more 4 mandate?’/Rama:Ndoshta fitoj se s’jam socialist i mirë!

24 Maj, 2025 10:14 am
Fier/Automjeti i Policisë Bashkiake përplaset me autobusin, 6 persona të lënduar
Aktualitet

Fier/Automjeti i Policisë Bashkiake përplaset me autobusin, 6 persona të lënduar

24 Maj, 2025 9:59 am
Vlorë/ Theu arrestin e shtëpisë dhe goditi me thikë një 34-vjeçar, arrestohet i riu
Aktualitet

Vlorë/ Theu arrestin e shtëpisë dhe goditi me thikë një 34-vjeçar, arrestohet i riu

24 Maj, 2025 9:50 am
Hapet për qarkullim tuneli i Llogarasë, do jetë pa pagesë gjatë sezonit veror
Aktualitet

Hapet për qarkullim tuneli i Llogarasë, do jetë pa pagesë gjatë sezonit veror

24 Maj, 2025 9:29 am
Vendi ynë si një “Itali e re”, Rama: Na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia
Aktualitet

Vendi ynë si një “Itali e re”, Rama: Na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia

24 Maj, 2025 9:20 am
Shtresa e mesme nën presionin e kostove të larta të jetesës!
Aktualitet

Shtresa e mesme nën presionin e kostove të larta të jetesës!

24 Maj, 2025 8:52 am
Para
Zv/ministri i Drejtësisë flet për gjyqtarët e mbetur në vetting: Shumë shpejt nis faza ndëshkimore

Zv/ministri i Drejtësisë flet për gjyqtarët e mbetur në vetting: Shumë shpejt nis faza ndëshkimore

“Kufinjtë lëvizin vetëm me luftë”, reagon ashpër kryeministri Haradinaj

Haradinaj nga Vlora ripërsërit se kufijtë e Kosovës nuk preken, pasi janë vendosur si rezultat i luftërave

PD numëron pasojat e Aktit Normativ, akuza Ramës: Ja çfarë i shkakton shqiptarëve

PD numëron pasojat e Aktit Normativ, akuza Ramës: Ja çfarë i shkakton shqiptarëve
















TE FUNDIT

Të paktën 15 të plagosur nga një sulm rus në Kiev

Të paktën 15 të plagosur nga një sulm rus në Kiev
24 Maj, 2025

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u përball me sulme të pareshtura me dronë dhe raketa nga Rusia gjatë natës dhe mëngjesit...

Lexo më shumë

VIDEO/Serë me kanabis në Krujë, arrestohet 28 vjeçari i shpallur në kërkim

VIDEO/Serë me kanabis në Krujë, arrestohet 28 vjeçari i shpallur në kërkim
24 Maj, 2025

Kapet në flagrancë në serën ku kishte kultivuar bimët narkotike dhe vihet në pranga 28-vjeçari. Sipas policisë shtetasi i arrestuar...

Lexo më shumë

Krimet zgjedhore, Prokuroria e Përgjithshme: 107 kallëzime, për 47 u nis procedimi

“Krimet zgjedhore,“zonat më të nxehta”/ 44 kallëzime për parregullsi, 20 procedime
24 Maj, 2025

Është bërë bilanci nga ana e Prokurorisë së Përgjithshëm sa i takon krimeve zgjedhore deri më datë 22 maj. Në...

Lexo më shumë

Fier/ Grabiti 4 biznese brenda natës, arrestohet 28-vjeçari

Fier/ Grabiti 4 biznese brenda natës, arrestohet 28-vjeçari
24 Maj, 2025

Dyshohet se kreu 4 vjedhje brenda një nate, arrestohet nga policia 28 vjeçari në Fier. ‘Zbardhen 4 vjedhje në subjekte...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2025
Dev By Techzero1.com