Policia greke shkatërroi një rrjet të trafikimit të foshnjave dhe arrestoi gjashtë gra që përdoreshin për të lindur fëmijë, të cilët më pas shiteshin për 18 mijë Euro.
Truri i këtij rrjeti ishte një 39-vjeçar bullgar, që ishte proceduar në të kaluarën për vepra të ngjashme. Gratë ishin me shtetësi bullgare, strehoheshin në një apartament në Athinë ku dhe u gjetën nga policia.
Ishin dy policë të Departamentit të Sigurisë që futën në grackë anëtarët e kësaj organizate. Ata u prezantuan si çift i interesuar për të blerë një fëmijë duke lënë takim me një 40-vjeçare gjeorgjiane që kryente rolin e sekseres. Efektivët i dorëzuan asaj 18 mijë Euro për të blerë një foshnjë 4-ditëshe dhe më pas i vunë menjëherë prangat. Gruaja gjeorgjiane tregoi sesi funksiononte rrjeti por pa dhënë më shumë detaje.
Tre nga gratë që u arrestuan ishin shtatzëna. Ndërsa tre fëmijët e lindur rishtazi u gjetën nga policia në gjendje të mirë shëndetësore. Hetimet për këtë ngjarje vijojnë pasi shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje. Policia do të hetojë në cilat klinika janë kryer lindjet dhe nëse ka pasur mjekë obstetër që kanë bashkëpunuar me këtë rrjet.