Deputeti Enkelejd Alibeaj dhe Këshilltari për Çështje Ligjore pranë Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, kanë denoncuar ditën e sotme, një nga komisionerët e Vettingut se ka gënjyer gjatë fazës së aplikimit duke falsifikuar dokumentet.
Pjesë nga deklarata e PD
Partia Demokratike gjatë këtyre ditëve ka paraqitur të dhëna të pakontestueshme se organet e vettingut po aplikojnë standarde të dyfishta në procesin e rivlerësimit dhe se po konfirmojnë në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, sipas porosisë politike të Edi Ramës.
Përdorimi politik nga Edi Rama i komisionerëve të vettingut është i pritshëm, po të mbahet në konsideratë integriteti moral e profesional i ulët i pjesës dërrmuese të Komisionerëve.
Sot Partia Demokratike do të bëjë transparencë sesi një nga 12 Komisonerët e vettingut, jo vetëm nuk përmbush kriteret ligjore për ushtrimin e detyrës, por rezulton të jetë përfshirë në veprime të ulëta, siç është falsifikimi i dokumenteve që ka depozituar gjatë aplikimit.
Sipas nenit 6 të ligjit për vettingun kandidati për komisioner duhet të përmbushë edhe kriterin e zotërimit shumë mirë të gjuhës angleze. Ky është një kriter ligjor, pa të cilin një person nuk mund të zgjidhet në pozicionin e Komisionerit të vettingut.
Anëtari i vettingut Lulzim Hamitaj rezulton që në vitin 2016 ka aplikuar për pedagog pranë Univeristetit Europian të Tiranës, ku ka deklaruar se zotëron nivelin fillestar B1 të gjuhës angleze.
Ndërkohë një vit më vonë, në 2017-ën, kur aplikon për pozicionin e Komisionerit të vettingut, Lulzim Hamitaj depoziton një çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze në nivelin më të përparuar, C1, të lëshuar në vitin 2015 nga Qendra e Gjuhëve të Huaja Tiranë. Kjo provohet nga dokumentat e dosjes së tij, e marrë prej nesh në rrugë zyrtare nga Kuvendi.
Dokumenti i depozituar pranë Avokatit të Popullit, më pas pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Kuvendit të Shqipërisë, mbi bazën e të cilit ai është kualifikuar, mban logon e University of Cambridge, ESOL Examinations, BULATS, datë 6 Prill 2015, me numër reference 4571.
Partia Demokratike pyet sot, atë që do të pyeste çdo shqiptar:
Nëse në vitin 2015 Lulzim Hamitaj do të ishte i pajisur me çertifikatë që provon se zotëron nivelin e përparuar C1, atëherë pse në aplikimin e vitit 2016, deklaron se zotëron anglishten në nivelin fillestar B1?
Qytetarët kanë të drejtë të mësojnë përgjigjen e kësaj pyetje.
Edhe një fakt tjetër.
Çertifikata e dorëzuar gjatë aplikimit për në organet e vettingut, mban datën 6 Prill 2015.
Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS, rezulton se shtetasi Lulzim Hamitaj, në datën 6 Prill 2015, ku pretendon se ka dhënë provimin dhe është pajisur me çertifikatë të zotërimit të gjuhës angleze, nuk ka qenë në Shqipëri!
Dokumentet zyrtare tregojnë se Lulzim Hamitaj, Komisioneri i vettingut, nuk ka qenë në territorin e Republikës së Shqipërisë në datën 6 Prill 2015, ku pretendon se ka zhvilluar testimin dhe është pajisur me çertifikatë, pasi rezulton se, ai ka dalë nga territori i Republikës së Shqipërisë në datën 28 Mars 2015 ora 11:10 min dhe ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë në datën 23 Korrik 2015 në orën 07:08 min.
Partia Demokratike pyet sot Komisionerin e vettingut Lulzim Hamitaj:
- A është Çertifikata e gjuhës angleze e depozituar pranë organeve shtetërore, një dokument i falsifikuar?
- A është siguruar kjo çertifikatë në vitin 2017, dhe jo në vitin 2015 siç shënohet në të, për efekt mashtrimi të organeve shtetërore përgjegjëse?
- A ka kontaktuar Lulzim Hamitaj me një avokat për të siguruar këtë dokument të falsifikuar?
- A ka frekuentuar ai ndonjëherë Qendrën që e ka pajisur me çertifikatë dhe a ka bërë ai ndonjëherë testin e gjuhës angleze në këtë Qendër?
- A korrespondon numri i referencës së certifikatës së gjuhës angleze, 4571, në regjistrin e Qendrës me emrin e Komisionerit të vettingut Lulzim Hamitaj?
- Pse çertifikata e depozituar prej tij nuk e ka vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës?
Pajisja e individëve me çertifikata të falsifikuara ka qenë pjesë e një investigimi të realizuar nga emisioni Fiks Fare në datë 29 Shtator 2015, pas të cilit organi i prokurorisë nisi hetimet dhe Qendra, ku anëtari i vettingut Lulzim Hamitaj, ka marrë ceritifikatën e gjuhës angeleze, u mbyll.
Qartësisht në investigimin e këtij emisioni rezulton se dallimi midis një çertifikate të rregullt dhe një çertifikate të falsifikuar është fakti se çertifikata e falsifikuar nuk mban vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Përveç faktit që në datën 6 Prill 2015, ku ai pretendon se është testuar, Komisioneri i vettingut nuk ka qenë në Shqipëri, rezulton e provuar edhe fakti që çertifikata e depozituar nga Lulzim Hamitaj nuk e përmban vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës.
Këto fakte krijojnë bindjen e arsyeshme se Lulzim Hamitaj, Komisioner pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ka mashtruar organet shtetërore dhe ka përdorur një dokument të falsifikuar, me qëllim që të siguronte kualifikimin në konkurim.
Ky fakt i rëndë tregon se ai nuk gëzon integritetin e duhur moral për të ushtruar detyrën e rëndësishme në organet e vettingut. Falsifikimi dhe përdorimi i dokumenteve të falsifikuara është vepër penale dhe në këtë rast është kryer me dijeni të plotë për qëllime të mashtrimit të organeve shtetërore.
Partia Demokratike i kërkon publikisht Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit të fillojnë procedurat disiplinore për shkarkimin e tij të menjëhershëm nga detyra për:
- Mosplotësimin prej tij te kushteve dhe kërkesave Kushtetuese dhe Ligjore per te qene Gjyqtar/Komisioner ne organit kushtetues te Vettingut KPK
- Përdorimin prej tij te Çertifikatës se falsifikuar përsa i përket mbrojtjes se gjuhës se huaj
- Falsifikimin prej tij te CV, Formularëve dhe te akteve, ne lidhje me kualifikimin, te dorëzuara pranë organeve shtetërore dhe që jane marrë ne konsideratë dhe kanë shërbyer për zgjedhjen e tij si Gjyqtar/Komisioner në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Partia Demokratike i kërkon publikisht organit të prokurorisë që të nisë menjëherë procedim penal ndaj Komisionerit të vettingut Lulzim Hamitaj për falsifikimin dhe përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të cilat i ka depozituar pranë organeve shtetërore dhe për të cilën Kodi Penal parashikon dënim deri në 4 vjet burgim.
Për Partinë Demokratike integriteti moral dhe profesional i anëtarëve të vettingut është kusht i domosdoshëm për të siguruar besimin e publikut tek procesi i vettingut dhe parakusht i domosdoshëm për të siguruar pastrimin real të sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar.