Në Myzeqe fermerët po sulmohen nga gjarpërinjtë dhe insekte të rrezikshme. Mjekët në spitalin e Fierit thonë se këtë verë, situata është alarmante si asnjë vit tjetër.
Kjo është një punë e përditshme e fermerëve në Fier. Por tani është kthyer në një aventurë të rrezikshme. Temperaturat e larta kanë bërë që gjarpërinj dhe merimanga helmuese të rendin nëpër fusha në kërkim të ujit. Rastet e pickimeve kryesisht nga gjarpërinj dhe vejusha e zezë, janë shtuar duke vënë repartin e toksikologjisë në gjendje alarmi.
“Situata e kafshimeve nga zvarranikët dhe e pickimeve nga insektet helmuese ka qenë më e rëndë sesa e njëjta periudhë të vitit të kaluar. Kemi pasur më tepër kafshime nga nëpërka dhe gjarpri”, tha mjeku toksilog në spitalin e Fierit, Lulëzim Banushi
Zvarranikët dhe insektet në Myzeqe shquhen për helmin e tyre të fortë. Në mungesë të antidotit brenda 24 orëvë dhe nën temperaturat e larta pasojat e pickimeve të tyre bëhen vdekjeprurëse.
“Zonat më të prekura janë zonat kodrinore që janë përreth qytetit tonë. Zona e Cakranit, e Festanit, e Frakullës të cilat konstatohen gjatë punës që bëjnë ata në ambientet e tyre dhe në bujqësi”, tha mjeku Banushi.
Duke qenë se kontakti me gjarpërinjtë është i pashmangshëm në këtë periudhë janë veshjet mbrojtëse e vetmja zgjidhje që sugjerojnë specialistët. Por në temperaturat e larta të Korrikut për fermerët këto pajisje mbrojtëse e bëjnë punën në arë të pamundur.
Mesatarisht në spitalin e Fierit mbërrijnë të pickuar nga gjarpri dhe merimanga e zezë 4 raste në javë, një shifër kjo më e lartë se ajo e vitit të kaluar. Përveç temperaturave të larta, faktor në shtimin e zvarranikëve dhe insekteve të rrezikshëm është edhe mungesa e dezinfektimit të sipërfaqeve bujqësore./abcnews.al