Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot njê takim me koordinatorët e platformës së bashkëqeverisjes. Ai tha se kjo platformë është një mekanizëm që funksionon.
“Besimi tek platforma po rritet. Hallet dhe problemet që po zgjidhen, po rriten në numër. Edhe skeptikët që i drejtohen Platformës për hajgare, i kthehen sërish me mesazhe falënderuese. Nuk është e tepër që të falënderoj kordinatorët e bashkëqeverisjes, për të cilët fjalët e mira që dëgjoj çdo javë për ta janë të merituara”, u shpreh Kryeministri.
Dhe siç ndodh zakonisht në të tilla raste, për ta kompletuar fabulën gjendet gjithmonë një rast që i shkon përshtat propagandës së Ramës. Një grua përqafoi kryeministrin pasi arriti që të merrte çertifikatën e pronësisë pas 8 vitesh sorollatje.
“Kam 8 vite që më është bërë padrejtësi nga Hipoteka. Prona iu hoq burrit tim, dhe iu dha vjehrrës. Ia morën. Ngelëm dyerve të Hipotekës, dhe me vuajtje e halle se kam lindur e madhe, kam dy vajza. Faleminderit shumë për këtë që bëtë. Donin të vinin dhe vajzat, dhe më thanë; mami të lutem bëj një fotografi me Edi Ramën. Dua të të përqafoj. Më keni bërë gruan më të lumtur në botë, njëherë kur kanë lindur fëmijët dhe sot”, tha gruaja e quajtur Redi Kola.