Enti rregullator britanik për mbrojtjen e të dhënave (ICO) njoftoi sot se do të gjobisë me 500 000 stërlina (565 000 euro) Facebook-un pas çështjes së “Cambridge Analytica”, dhe shpërpërdorimit të të dhënave personale të miliona përdoruesve pa pëlqimin e tyre.
ICO-ja nisi një hetim në vazhdën e kësaj çështje që përfshin rreth 87 milionë përdorues të gjigandit amerikan të rrjeteve sociale, për të hedhur dritë në lidhje me ndërhyrje të mundshme në referendumin për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja në qershor të vitit 2016.
Facebook është përfshirë në një situatë delikate prej disa muajsh në skandalin “Cambridge Analytica” (CA). Kjo kompani britanike është e akuzuar se ka mbledhur dhe përdorur pa aprovimin e përdoruesve të dhëna personale për qëllime politike, për të avantazhuar alternativën pro Brexit në Britaninë e Madhe dhe Donald Trump në presidencialet amerikane në vitin 2016.
Grupi e pranoi edhe vetë personalisht se ka qenë në dije që në vitin 2015 se të dhënat personale kishin mbërritur deri në CA.
Në një deklaratë të publikuar të mërkurën, ICO njoftoi se hetimi ra në përfundimin se Facebook kishte shkelur ligjin, duke anashkaluar mbrojtjen e të dhënave personale. Ajo bëri gjithashtu të ditur se kompania nuk është treguar transparente në lidhje me mënyrën sesi të dhënat personale janë mbledhur nga palët e tjera.