Një ekspeditë amerikane, me në krye James Goold, studiues i arkeologjisë nënujore, i njohur ndër të tjera për betejën ligjore mbi fatin e anijes spanjolle Merdez që u zbulua me thesare të kurorës spanjolle, së bashku me ekspertë të arkeologjisë nënujore shqiptare mendon se, bazuar në faktet e zbuluara nga kërkimet, Shqipëria nuk ka qenë fajtore në incidentin e Kanalit të Korfuzit.
“Mbetjet e anijes nuk janë gjetur në mes të Kanalit të Korfuzit. Pika A është pozicioni zyrtar i flotës britanike, ndërsa pika B tregon vendin ku ne kemi gjetur mbetjet e anijes britanike. Pika B është një pikë ku mundet të shkosh sepse rruga të çon rastësisht aty, pra një kanal përmes të cilit duhet të kalosh.
Është një pikë që arrihet duke bërë një lëvizje provokative, çka na bën të mendojmë se lëvizja ka qenë e qëllimshme, për t’iu afruar kufirit për të kërcënuar Shqipërinë”,- shprehet Goold.
Por, tashmë që historia nuk mund të zhbëhet dhe Shqipëria është shpallur fajtore për këtë incident, sa vlen ky zbulim për të ndryshuar historinë?
“Sigurisht, ne prandaj po i mëshojmë shumë çështjes së Kanalit të Korfuzit, sepse juridikisht Shqipëria nuk ka mundësi të rihapë gjyqin në Hagë, por moralisht Shqipëria duhet ta fitojë këtë betejë për brezat e ardhshëm për të kuptuar që pavarësisht kontekstit historik të kohës, Shqipëria nuk ka minuar trafikun ndërkombëtar, por ka qenë një provokim i palës britanike, i cili shkaktoi edhe atë që quhet incidenti i Kanalit të Korfuzit”,- shpjegon Auron Tare, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit./TCH/