Një pjesë e mirë e rrugëve në vend do të jenë me pagesë për qytetarët. Këtë e ka pohuar ministri Damian Gjiknuri. Rruga e Arbrit është e para që u dha për t’u ndërtuar me koncesion sipas programit një miliard euro të qeverisë, ku paratë e ndërtimit sigurohen nga privati dhe më pas ky borxh paguhet nga buxheti i shtetit.
Në listë janë së paku dhe 3 akse të tjera. Thumanë-Kashar, që po shkon drejt përmbylljes së tenderit; Milot-Balldren, pjesë e autostradës Adriatiko-Joniane; si dhe rruga Orikum-Himarë.
Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri tha se pasi të përfundojnë këto rrugë do të taksohen.
“Një pjesë të riskut e merr shteti nëpërmjet alokimeve buxhetore, por një pjesë të riskut nesër do ta marrin edhe përdoruesit e rrugës, që do të thotë që përdoruesit e rrugës do të paguajnë për përdorimin e një infrastrukture jashtëzakonisht më të përmirësuar nga pikëpamja e standardeve”, tha Gjiknuri.
Deklarata e ministrit bie ndesh me precedentin “Rruga e Kombit” e cila nuk u ndërtua nga privati por nga shteti dhe sërish qytetarëve u kërkohet të paguajnë një taksë të lartë për mirëmbajtjen e saj.