Aktori i mirënjohur Robert Ndrenika ka ndërhyrë në një lidhje telefonike në emisionin “Studio e hapur” në News24, ku tha se është ndjerë i fyer dhe i lënduar nga Rama kur nuk e la të fliste gjatë takimit në kryeministri, ku u prezantua dhe projekti i ri.
Pjesë nga intervista
Jeni ndjerë i fyer dhe i lënduar nga ai takim me Ramën?
Jam ndjerë shumë i lënduar, atë që më ka bërë ai njeri s’ma ka bërë njeri deri më sot. Më turpëroi para të gjithë kolegëve të mi dhe të 100 vetëve që ishin aty. Kryeministrat venë e vijnë, jam i sigurtë që ky nuk është kryeministër i përjetshëm
Keni ndonjë gjë që për ti thënë?
Kam për të thënë jo personalisht për atë, por kam për të thënë për teatrin. Kryeministrat ven e vin, ky vend ka pasur dhe kryeministër 30-vjeçar dhe pësoi atë që pësoi. Besoj se dhe ky që është tani nuk është i përjetshëm.
Kjo duket si një rrugë pa kthim. Jeni i dëshpëruar?
Jam shumë i dëshpëruar sepse duket sikur po i bie murit me kokë. Ai vend është i shenjtë, e gjithë kultura e kryeqytetit aty e ka nismën. Ambasadori i SHBA-ve kërkon peshqit e mëdhenj, peshqit e mëdhenj i ka përpara syve, por zë cironga. Aty ka 20 vjet që tenton të bëjë një grabitje të mbetur në tentativë dhe askush nuk thotë gjë, as prokuroria, as qeveria. Mesa duket Rama do ta bëjë këtë punë.
Pse nuk e dëgjon zërin tuaj Rama?
Ka mendje fodulle dhe mendjemadhësi. Ai nuk dëgjon dhe ata që ka rrotull. Ai ka ofenduar të gjithë kolegët e mi, ka ofenduar dhe mua. Hajde more të flasim të ulemi.
Çfarë do të ndodh pas të premtes? Do ngujoheni dhe ju ata?
Nuk e di se çfarë do të ndodh, por di që ata po e grabisin me lidh dhe me Parlament. Mund të bëhet dhe një ndërtesë e re siç është kjo. Ata që pretendojnë se do bëjnë teatrin kanë thënë se bën 30 milion euro, por me 10 milion bëhet një teatër i mirë. Tiranë e meriton një teatër dhe këtë teatër.