25 vjet më parë askush nga familja e Klement Elmasllarit s’e besonte se djali i tyre i vogël do të rikthehej në jetë, pas aksidentit në moshën 7 vjeç.
Rënia nga kati i tretë i apartamentit ku banonte, ishte fatale për Klementin i cili pësoi dëmtime të rënda në tru, gjë që e cila i shkaktoi qëndrimin në koma për 7 ditë.
Edhe pas zgjimit nga koma, asgjë sdo të ishte si më parë.
Vogëlushi kishte probleme me të folurin dhe ekuilibrin.
E vetmja shpresë për familjen e Klementit sot 33 vjeç, ishte qendra speciale komunitare, e vetmja në qytetin e Pogradecit që ofronte terapi mësimore për fëmijët me aftësi ndryshe, të cilët e kishin të pamundur të frekuentonin shkollën.
Sot, pas më shumë se 20 vitesh, qendra speciale multifunksionale e Pogradecit ka ndryshuar rrënjësisht. Stafi i saj vit pas viti është plotësuar me profesionistë si, mësues, psikologë e punonjës social, të cilët ofrojnë për 48 fëmijët e të rriturit e qendrës, shërbim të specializuar.
Rikonstruksioni i qendrës përfundoi një vit më parë dhe u financua nga PNUD Albania, e cila në bashkëpunim me bashkinë e Pogradecit e riktheu këtë qendër multifunksionale në një suport për të gjithë zonën, duke ndërhyrë në një ambient të harruar prej 24 vitesh.
“Klementi është ndër të parët fëmijë në qendër. Pak nga pak ai ka mësuar në këto vite të shkruaj e të lexojë, të kryejë ushtrime matematike si dhe të vizatojë”, thotë mësuesja e matematikë-fizikës, Luiza Tupe e cila punon në qendër prej vitit 2003.
Por kërkesat për të frekuentuar qendrën janë të shumta, edhe per faktin se qendra speciale multifunksionale e Pogradecit është ndër 5 qendrat në gjithë vendin ku ofrohet shërbim i specializuar për fëmijët autikë dhe ata me aftësi të kufizuar.
Për kryetarin e bashksië së Pogradecit, Eduart Kapri, nevoja për shërbim të specializuar në qendrën multifunksionale të qytetit është e madhe, sidomos për fëmjët që jetojnë në fshat.
Në qytetin e Pogradecit dhe fshatrat përreth tij janë rreth 500 fëmijë me aftësi ndryshe të cilët e kanë të nevojshëm marrjen e shërbimit të specialistëve të duhur çdo ditë.