Rikonfirmohet në detyrë gjyqtarja e Laçit, Marçela Shehu. Vendimi u shpall sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Marçela Shehu është kandidate edhe për një post në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
KPK konstatoi se subjekti ka qene bashkepunues, teksa relatori Komici tha se bazuar në deklarimet e ILKPI gjyqtarja justifikon pasurinë, nuk ka bërë fshehje të pasurisë dhe as deklarim të rremë.
Sa i takon vlerësimit të figurës, Komici tha se DSIK ka kryer vlerësimin dhe ka derguar nje raport ku konstaton përshtatshmërinë e Marçela Shehut.
Vetë gjyqtarja Marçela Shehu tha se është njohur me hetimin dhe verifikimet e KPK-së ndaj saj dhe është dakord me punen e kryer prej Komisionit, duke kërkuar konfirmimin në detyrë.
PASURIA
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarja Marçela Shehu zotëronte një pasuri familjare prej 1.3 milionë lekësh në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria e saj është dyfishuar, duke kapur vlerën e rreth 2.7 milionë lekëve.
Pasuria familjare e zonjës Shehu ndahet në 200 mijë lekë llogari bankare, 1.5 milionë lekë kursime në cash dhe rreth 1 milion lekë automjete. Gjyqtarja ka gjithashtu në bashkëpronësi një shtëpi private të ndërtuar në vitet 1998-2000, të cilën e ka përfituar si rrjedhojë e martesës dhe e ka deklaruar atë në vitin 2007.
Të ardhurat e gjyqtares Shehu përbëhen vetëm nga paga e saj dhe ajo e bashkëshortit, të cilat kapin në total vlerën e 12.9 milionë lekëve. Përgjatë viteve në karrierë, zonja Shehu ka shënuar një rritje mesatare të pasurisë prej 133 mijë lekësh në vit.