Saimir Tahiri rifitoi dje lirinë. Gjykata e Apelit i hoqi masën shpërnguese të arrestit shtëpiak, duke vendosur të hetohet në gjendje të lirë. Nga ana tjetër, prokuroria kishte këmbëngulur për arrest me burg. Pikërisht lirimi i Tahirit, ka qenë sot pjesë e debatit në Komisionin e Ekonomisë ku deputeti demokrat Edmond Spaho hodhi akuza ndaj deputetëve të mazhorancës.
Kryetari socialist i Erion Braçe mori në mbrojtje organin e akuzës dhe kryeprokuroren e emëruar nga mazhoranca, Arta Marku duke thënë se ata kërkuan arrest me burg për Tahirin. Sakaq ai me ironi tha merruni me gjykatën se e keni tuajën, bashkë me KLD që e drejton Ilir Meta.
Më poshtë debati mes Spahos e Braces
Edmond Spaho: Ju, jo vetëm nuk shkarkoni Xhafën, por shkoni më tej, lironi edhe atë që ishte në arrest shtëpiak. Ne po punojmë për kushtin kryesor, më pas është përgjegjësia juaj nëse negociatat dështojnë dhe ju do përballeni edhe më ashpër dhe më fort me zemërimin e qytetarëve të këtij vendi.
Erion Brace: Keni thënë që ajo që bëjnë prokurorët është shumë e rëndë,por nuk ka asnjë lidhje me ne. Prokurorët janë ata keni emëruar ju, gjykatës po ashtu.
Spaho: Po të kujtoj kryeprokuroren dhe atë të Krimeve të Rënda dhe citimet e ambasadorit amerikan: Gjykata vendosi mbi presione.
Brace: kolegët që merren me cështje të jurisprurudencës duhet tu thonë se kryeprokurorja nuk ka më asnjë ndikim në cështje konkrete.
Spaho: Je bërë si Ali komiku
Braçe: Mjafton të mos bëhem si Lulzim komiku, prokurorët kërkuan arrest me burg për Tahirin, nëse keni problem me gjykatës drejtohuni në KLD, e keni tuajin, e zotëroni nga i pari tek i fundit. Ata i kanë emëruar ata i mbajnë në detyrë gjyqtarët.