Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë Jorida Tabaku dhe anëtari i Komisionit të Ekonomisë Florion Mima reaguan sot pas sulmit verbal të kryetarit të këtij Komisioni, Erjon Braçe ndaj dy gazetareve Esiona Konomi, Report TV dhe Marsela Karapancco News 24.
Ky është një sulm i vazhdueshëm ndaj gazetarëve nga qeveria dhe përfaqësuesit e saj në Parlament dhe institucione shtetërore, i cili zanafillën e ka në gjuhën denigruese të kryeministrit Edi Rama.
Tabaku iu drejtua Braçes kështu:
Jorida Tabaku: z. Braçe ne u larguam dje nga Komisioni dhe nuk ishim në pjesën e dytë të tij. U njohëm nga media me faktin se dy gazetare të terrenit që janë prezent këtu në Komision ditët e fundit, ju i kërkuat të largohen nga salla. Ju duke qenë gazetar, i kuptoni mirë vështirësitë e tyre për më tepër që të dyja janë zonja.
Nuk është në standardin e këtij Komisioni, të paktën për sa kohë unë jam unë këtu. Nuk është në standardin e asnjërit prej nesh këtu që të largojmë gazetarët.
Unë bisedova me to dhe kuptova se ishin tepër të prekura nga ky gjest. Janë të dyja profesioniste. Të dyja nuk e mbulojnë Partinë Demokratike. Asnjëra prej tyre. Nuk më duket normale.
Transparencën e munguar të qeverisë ky Komision e ka ofruar deri tani dhe shpresoj të vazhdojë i tillë.
Deputetët në këtë Komision nuk ka ndodhur asnjëherë t’i përzë njeri, sepse ky komision ka etikë dhe transparencë. Por ju po e çmontoni këtë besim.
Nuk e konsideroj akt normal.
Nga ana tjetër edhe Mima i tha Braçes të kërkonte falje, duke i përmendur punën e gazetarëve, dhe rëndësinë që ajo ka te populli.
Florion Mima: Medias sot i detyrohesh një scusa, një falje.
Erjon Braçe: Bëje ti, nuk ka asnjë problem.
Florion Mima: E bëj unë në emër tënd, pa asnjë problem. Edhe kur zihemi, edhe kur pajtohemi populli do të dijë se çfarë themi ne me njëri-tjetrin. Janë vajzat që ti i nxore jashtë dje që e bëjnë këtë me besnikëri, me integritet, pa i mbajtur krahun askujt. Po mos ishin ato ne nuk do të mësonim për 5 milionët që Habilajt ia kishin taksur çdo muaj Ministrit të parë të Brendshëm. Po mos ishin ato, ne nuk do të dinim asgjë për 20 milionët e eruove që i duheshin Ministrit si kreu i një qarku. Po mos ishin ato zotëri, ne nuk do e dinim që Nazer Seiti u arratis brenda natës në bashkëpunim me qeverinë. Ne nga mediat i kemi mësuar të gjitha edhe që vëllai i Ministrit aktual është i dënuar. Ne të gjithë i detyrohemi mediave, edhe kur jemi në pushtet edhe kur jemi në opozitë. Gazetarët e nxjerrin bukën e tyre me integritet dhe ne i detyrohemi shumë!