Masa të ashpra deri në heqjen e lejes së ndërtimit për të gjitha subjektet ndërtimore që hedhin mbetjet inerte në venddepozitime të palicensuara. Kështu kanë paralajmëruar Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.
Ata inspektuan sot situatën e mbetjeve inerte në liqenin e Kodër-Mëzez, që është kthyer në një vendgrumbullim mbetjesh dhe intertesh nga subjekte të palicensuara duke dëmtuar florën dhe faunën e kësaj zone.
Sipas Blendi Klosit, mbi 30 subjekte ndërtuese janë penalizuar me gjoba dhe pezullime nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit për hedhje të mbetjeve inerte jashtë vendepozitimeve të licensuara nga bashkia.
“Situata me mjedisin është krejtësisht e papranueshme pasi drejtuesit e këtij biznesi do të duhet të trajtojnë mbetjet në venddepozitimet e licensuara nga bashkia dhe jo natyra të jetë venddepozitimi për mbetjet. Inspektoriati i Mjedisit së bashku me inspektoriatin e bashkisë kanë penalizuar mbi 30 subjekte të cilët janë kapur në shkelje të ligjit, por kjo është një masë e pamjaftueshme. Do të vazhdojmë me masa më të ashpra duke shkuar deri në heqjen e lejes për ndërtim të këtyre subjekteve pasi nuk mund të tolerojmë që mjedisi të trajtohet si mall pa zot”, tha ministri Klosi.
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku tha se problematika e hedhjes së dherave nga punimet, ose inerteve të tjera në vende të ndryshme të qytetit, është një problematikë e vjetër.
“Ky është një problem i cili tashmë nëpërmjet Planit Urbanistik të qytetit, të miratuar 1 vit më parë, por edhe një sërë rregullimesh të tjera që janë bërë, është një çështje e sistemuar. Tashmë duhet vetëm që aktorët e caktuar, të cilët duan ta kryejnë këtë lloj aktiviteti të ndjekin rregullat dhe procedurat e duhura dhe të mos i hedhin mbetjet në natyrë, sepse natyra është e të gjithëve ne. Kjo është një çështje që nuk do të tolerohet më në bashkëpunim të ngushtë me gjithë institucionet qendrore dhe lokale, në mënyrë që ta ruajmë mjedisin ashtu siç është dhe të kemi mundësi tu trashëgojmë fëmijëve tanë”, nënvizoi Mazniku.
Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe inspektorët e bashkisë vijon inspektimet në të gjithë qarkun e Tiranës, për të evidentuar të gjitha pikat apo hotspotet e krijuara në vite nga puna dhe aktiviteti i pakontrolluar i subjekteve që merren me gjenerimin, transportin dhe venddepozitimin e mbetjeve inerte.