Dhjetë të vdekur (9 nxënës dhe një mësues) dhe 12 të plagosur, sipas mediave lokale është bilanci i të shtënave me armë zjarri në një shkollë në Santa Fe, në Teksas.
Disa dëshmitarë kanë treguar se kanë parë një të ri të armatosur të hyjë në klasa e të qëllojë. Policia ka arrestuar autorin dhe ai është, Dimitrios Pagourtzis, një nxënës 17-vjeçar.
(Autori i masakrës)
Së bashku me të, është ndaluar edhe një person tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Presidenti i Amerikës, Donald Trump shprehu ngushëllimet e tij për viktimat, në fillim të një konference që përkoi me masakrën.
“Fatkeqësisht më duhet ta nis duke shprehur trishtrimin dhe dhimbjen tonë për masakrën në shkollnë e mesme ‘Santa Fe’ në Teksas, që ndodhi para pak çastesh. Kjo po ndodh prej shumë kohësh në vendin tonë, prej shumë vitesh dhe dekadash. U shprehim ngushëllimet dhe mbështetjen tonë të gjithë atyre që janë prekur nga ky sulm i tmerrshëm, studentëve, prindërve, mësuesve dhe personelit në shkollë. Administrata ime është e vendosur të bëjë gjithçka në fuqitë e saj për të mbrojtur studentët tanë, për të siguruar shkollat dhe për t’i mbajtur armët larg duarve të atyre që përbëjnë kërcënim për veten dhe të tjerët. Kjo është një ditë shumë e trishtë”, tha Trump.
Sulmi makabër u krye në fillim të ditës së mësimit në shkollën “Santa Fe”, sapo një pjesë e nxënësve kishte mbaruar një seancë stërvitore në rast zjarri apo sulmi në shkollë. Mediet spekulojnë se agresori mund të ketë zgjedhur me dashje pikërisht këtë moment.
Nuk ka dyshim që masakra e radhës do të ashpërsojë edhe më shumë debatin e zjarrtë për armët në SHBA dhe jo pa të drejtë. Për ta vënë në kontekst të situatës kombëtare, ky është sulmi i tretë gjatë 7 ditëve të fundit dhe i 22-ti në shkollat amerikane që prej fillimit të vitit në SHBA.