Kryeministri Rama do të udhëtojë sot drejt Berlinit në një vizitë dyditore, ku mes shumë takimeve do të pritet dhe nga kancelarja Angela Merkel. Por gjatë qendrimit në Gjermani, Rama është i detyruar të takojë edhe mikun e Lulzim Bashës, deputetin e CDU-së (partia e Merkel), Gunther Krichbaum.
Në axhendë është planifikuar një seancë bashkëbisedimi mes Kryeministrit dhe Komisionit të Jashtëm në Bundestag. Ky komision drejtohet pikërisht nga z. Gunther Krichbaum. Emri i tij nuk është i panjohur në vendin tonë dhe është cilësuar si mik i Lulzim Bashës.
Fundjavën që lamë pas Rama dhe Basha u përfshinë papritur në replika të ashpra pikërisht për deputetin e Bundestagut gjerman. Në fillim Basha akuzoi kreun e Qeverisë se po financonte një fushatë denigruese me shënjestër kreun e Komisionit për Çështjet e Europës, Gunther Krichbaum, referuar një shkrimi në median online se z. Krichbaum ka marrë para nga PD-ja. Basha tha se këto janë shkrime të sponsorizuara nga Rama.
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministrit, i cili shkroi në facebook:
“Gunther Krischbaum nuk është miku im dhe as nuk hyn ndër dashamirësit e Partisë Socialiste e të qeverisë sonë! Unë nuk jam aspak dakord me opinionin e tij për punën e qeverisë sime dhe këtë ai e di shumë mirë, sepse e ka dëgjuar nga unë, sy më sy dhe jo mbrapa krahëve. Por, zotëria në fjalë ka të gjithë respektin tim për ndihmën që dha kur zotrote bllokoje Reformën në Drejtësi dhe kurrën e kurrës, jo ai po asnjë I huaj I interesuar për Shqipërinë, nuk ka qenë e s’mund të jetë shënjestra e ndonjë sulmi të orkestruar prej meje apo prej Partisë Socialiste. Kurrë!”.
Lexo edhe:
Armiqtë e jashtëm të politikes sone