Gjatë vizitës në vendin tonë, Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini takoi Presidentin Meta. Takimi ishte me dyert të mbyllura, ndaj mbi atë cfare është diskutuar i referohemi komunikates së nxjere nga Presidenca ku theksohet se Meta ka kerkuar liberalizimin e vizave per Kosoven.
Deklarata e plotë e Presidences per takimin Meta-Mogherini
Presidenti Meta mirëpriti rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, në vlerësim të përpjekjeve të mëdha e ndër vite të Shqipërisë në procesin e saj të pakthyeshëm të integrimit evropian. Duke njohur kontributet e të gjithë aktorëve vendas që me vendosmëri ndërtuan deri tani trajektoren evropiane të Shqipërisë, Presidenti Meta përcolli gjithashtu mirënjohjen për Përfaqësuesen e Lartë Mogherini dhe Komisionin Evropian për mbështetjen dhe ndihmën e palodhur që u kanë ofruar shqiptarëve.
Kreu i Shtetit theksoi se ky rekomandim me rëndësi strategjike për vendin dhe rajonin, duhet të shërbejë si katalizator i një uniteti më të konsoliduar dhe i përqëndrimit të punës në thellimin e reformave kyçe për vendin. Presidenti vuri në dukje se të gjithë ata që ndjehen pjesë e këtij suksesi të përbashkët duhet gjithashtu të mbartin pjesën e tyre të përgjegjësisë për më shumë punë në të ardhmen, duke ruajtur fokusin për një vendim pozitiv gjatë mbledhjes së Këshillit në qershor.
Presidenti Meta vlerësoi gjithashtu faktin se rekomandimi pozitiv edhe për Maqedoninë është një hap me rëndësi strategjike për stabilitetin dhe sigurinë rajonale, me urimin që vendimi për çeljen e negociatave të anëtarësimit edhe me këtë partner të rëndësishëm rajonal të merret me vendosmëri dhe pa vonesë.
Duke e njohur Përfaqësuesen e Lartë edhe me zhvillimet e tjera në rajon, Presidenti Meta theksoi se pas ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, dhe përparimit në zbatimin e MSA-së, Kosova duhet sa më parë të përftojë liberalizimin e vizave drejt hapësirës Shengen dhe të ecë përpara në procesin e saj të integrimit evropian.
Presidenti shprehu bindjen se përparimi në këto procese për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të krijojë një klimë më pozitive ndërmjet vendeve të rajonit, e domosdoshme për të avancuar në çështje të tjera të mprehta, ende të pazgjidhura.