Dy avionë luftarakë turq raportohet të kenë “ngacmuar” helikopterin “Chinook” me të cilin udhëtonte kryeministri grek Aleksis Cipras, dhe shefi i Forcave të Armatosura Evangelos Apostolakis. Siç shkruan “Ekathimerini”, ata ishin duke fluturuar nga ishull i Ro në Rodos të martën pasdite.
Sipas medias greke, avionët luftarakë turq iu afruan helikopterit grek. Në këtë moment, avionëve luftarakë turq u është kërkuar të tërhiqen. Nisur nga situata, piloti njoftoi menjëherë kryeministrin grek dhe shefin e Forcave të Armatosura, të cilët kërkuan ndërhyrjen e autoriteteve përkatëse. Pas këtij veprimi avionët turq u tërhoqën.
Më herët, kryeministri grek Cipras duke marrë shkas nga provokimet e Turqisë, deklaroi nga ishulli i Kastellorizos, se “Greqia do të mbrojë parimet e saj, në mënyrë që territori i saj të mos cënohet”.
“Fqinjët tanë nuk sillen gjithmonë në një mënyrë ë përshtatshme për fqinjësi të mirë”, tha ai./BW