Policia greke ka shkatërruar një grup kriminal të trafikut të drogës që përbëhej krejtësisht nga shqiptarë. Janë vënë nën pranga pesë persona, të moshës 29 deri 48 vjeç, mes të cilëve edhe kreu i grupit.
Sipas komunikatës së policisë, grupi përpunonte dhe trafikonte droga të ndryshme në qendër të Athinës dhe zonën bregdetare të kryeqytetit helen, por edhe në janinë, Volos dhe Rethimnos.
Kreu i grupit ishte një 48 vjeçar, i cili bashkë me një 30 vjeçar kishin marrë përsipër gjetjen e sasive të drogës. Ndërsa tre të tjetër ishin përgjegjës për magazinimin, përpunimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike.
Policia njofton se gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve ka sekuestruar 1,5 kg heroinë, 705 gr kokainë, 21 kg kanabis i përpunuar dhe i papërpunuar, 11.500 pilula extasy, pajisje për përpunimin e drogës, si dhe substanca përzierëse, katër peshore precizioni.
Gjithashtu u sekuestruan, dy automjete, dy motoçikleta, një pistoletë, 6.320 euro dhe 21.000 lekë./OraNews