Monika Sieradzka –
Tetë vjet më parë u rrëzua në Smolensk të Rusisë një avion, ku ndër viktimat ishte edhe presidenti i atëhershëm i Polonisë. Kryeministri Jaroslaw Kaczynski e përdor këtë ngarje për emocionalizimin e shoqërisë.
Presidenti i vdekur si një hero kombëtar
Në të gjithë Poloninë ndërkohë ka qindra pllaka përkujtimore dhe përmendore për Lech Kaczynskin. Por në parlamentin e Polonisë, Sejm, ai do të nderohet në një vend shumë të veçantë – në hyrjen kryesore, ngjitur me pllakën përkujtimore për Papa Gjon Palin II, i cili në Poloninë katolike trajtohet si hero kombëtar.
Prej tetë vjetësh përpiqet Jaroslaw Kaczynski ta portretizojë vëllanë e tij të zhdukur si hero kombëtar. “Ai u ka kthyer polakëve vetëdijen kombëtare dhe Polonisë dinjitetin,” thotë ai në njërën prej ditëve përkujtimore që nuk mbahen vetëm më 10 prill, por çdo muaj. Zia për viktimat e tragjedisë, veçanërisht për vëllanë binjak të kryetarit të PiS-së, duket se nuk kanë fund.
Teoria e atentatit rus
Simbolika e dyfishtë fataliste e katastrofës është mëse e përshtatshme për këtë. Më 10 prill 2010, presidenti polak ishte me një delegacion të rangut të lartë rrugës për në Katyn, një fshat pranë Smolenskut në Rusinë perëndimore. Shtatëdhjetë vjet më parë, nga 3 prilli deri më 11 maj 1940, aty ishin vrarë nga shërbimi i fshehtë rus 22 000 oficerë polakë; ngjarja njihet edhe si “Katyn”. Në 70-vjetorin e saj, pak kilometra nga Katyn, në aeroportin e vjetër ushtarak të Smolenskut, gjen vdekjen i gjithë delegacioni polak, – një skenar që për disa polakë ende është i pabesueshëm.
Dhe kështu, teoritë e konspiracionit gëlojnë. Sondazhet tregojnë se 26 deri në 28 për qind e polakëve nuk besojnë te rastësia, por te një atentat i rusëve. Qeveria e drejtuar nga PiS hedh poshtë raportet zyrtare të Polonisë dhe Rusisë ku flitet për gabimet e pilotëve, udhëzimet e ngatërruara të kontrollorëve dhe gjendjen e rrënuar të aeroportit rus.
Feja smolenskine
Katastrofa vazhdon të shërbejë në Poloni si dinamit emocional, të cilin Jaroslaw Kaczynski e përdor për politikat e tij. Zbigniew Mikolejko nga Akademia Polake e Shkencave e quajti kryetarin e PiS një “të përzgjedhur” që mbi traumat e tij personale kishte ngritur një “fe smolenskine”. Aty hynte si martirizimi i të vdekurve, ashtu edhe simbolika e krishterë, kryqe dhe lutje. Por ka edhe “elementë paganë”, si parakalimet me pishtarë.
“Me këtë miks synohet të arrihen të gjitha grupet shoqërore – nga gratë e moshuara besimtare e deri te tifozët e futbollit, qytetarët e vegjël dhe nacionalistët”, thotë Mikolejko në një intervistë për DW. Është në natyrën e feve që të mbledhin grupe të ndryshme rreth një narrativi të përbashkët dhe pikërisht këtë po e bën me sukses kryetari i PiS.
Filozofi i fesë flet për një “emocionalizim” të politikës polake, tek i cili Kaczyński ka luajtur një rol të madh në vitet e fundit, me ritualet e tij për Smolenskun. Kishte qenë e lehtë për të, sepse shumë pjesë të shoqërisë nuk ndjeheshin të adresuar nga liberalët e orientuar nga biznesi. Ishte një neglizhencë e liberalëve që nuk arritën ta kuptojnë se “polakët kanë më shumë nevojë për heronj se kombet e tjera”, thotë Mikolejko.
Tragjedia si një instrument politik
Shkrirja e ritualeve të ngjashme me ato fetare me politikën është për shumë njerëz një instrumentalizim i tragjedisë kombëtare. “Më kujtohet uniteti që mbizotëronte në Poloni menjëherë pas katastrofës. Por shumë shpejt Jaroslaw Kaczynski zbuloi se ai kështu mund të bënte një politikë efektive dhe ta përdorte vdekjen e vëllait të tij për qëllime politike,” thotë sociologu Jakub Bierzyński në një intervistë me DW. Sipas mendimit të tij, Kaczyński nuk besonte as vetë në teorinë atentatit rus, pasi ai ishte “një politikan shumë racional.” Por ai e përdorte teorinë e konspiracionit për qëllime të paracaktuara. “Është e papranueshme për shumë njerëz që 96 vetë kanë vdekur vetëm në këtë vend historik për shkak të një gabimi të bërë nga piloti. Kjo nuk ka kuptim”, thotë Bierzyński. Ai është i mendimit se me teorinë e atentatit Kaczynski përmbushi nevojën bazë të njeriut për të kërkuar një kuptim më të thellë të gjërave.”
Pasojat e katastrofës
Por kryetari i PiS e ka gjithmonë e më të vështirë që ta mbrojë me sukses tezën e tij. Dëshmi për shpërthimin që kinse rrëzoi avionin presidencial, nuk ka. Tetë vjet me radhë, muaj për muaj Kaczynski ka folur për ndriçimin e tragjedisë. “Ne do të fitojmë”, ishte parulla e tij – dhe me fjalën “fitore” kishte parasysh se do të gjente dëshmitë për atentatin. Por ka ca kohë që ai nuk e përjashton mundësinë se “e vërteta mund të mos zgjidhet përfundimisht”. Ditët përkujtimore, tek të cilat dikur merrnin pjesë me mijëra njerëz, e tani vetëm disa qindra, Kaczynski do t’i heqë fare. “Fitorja” e tij sa vjen e bëhet me më pak gjasa. Por katastrofa kombëtare dhe trauma personale e politikanit më të rëndësishëm të Polonisë po lënë gjurmë: Tek raportet e tendosura me Rusinë dhe përçarja brenda shoqërisë polake. / DW